|
8 gusht 2012
Trupi gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë të EULEX-it dhe dy kosovarë, i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it në Gjykatën Supreme e anuloi vendimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës kundër S.G. dhe rastin e ktheu në rigjykim.
Gjykata Supreme e anuloi vendimin e shkallës së parë sipas detyrës zyrtare dhe rastin e ktheu në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës për konfirmimin e aktakuzës dhe për rigjykim, për shkak të shkeljeve të rënda të procedurës penale. Në veçanti, Gjykata Supreme ka vendosur se Kodi i Procedurës Penale i Kosovës nuk parasheh ndonjë kompetencë për gjyqtarin konfirmues që t’i shkurtojë procedurat dhe ta mënjanojë fazën e seancës kryesore duke e nxjerrë aktgjykimin në fund të fazës konfirmuese, edhe nëse ekziston marrëveshja për pranimin e fajësisë si në këtë rast. Prandaj, ankesa e mbrojtjes nuk është shqyrtuar në bazë të meritave dhe është veçuar meqë ajo e kundërshton vetëm vendimin për dënimin.
Gjykata Supreme, me një vendim të veçantë, ia ka vazhduar paraburgimin S.G. deri më 7 tetor 2012 dhe i ka urdhëruar Gjykatës së Qarkut të Prishtinës që të vendos për vazhdimet e mëtutjeshme të paraburgimit.
S.G. akuzohet për menaxhimin dhe kontrollimin e një grupi personash që trafikonin heroinë ndërmjet Kosovës, Austrisë dhe Zvicrës. Ai akuzohet për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të kundërligjshme të substancave të rrezikshme narkotike dhe për krim të organizuar.
Rastin është duke e trajtuar një prokuror i EULEX-it.