English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

Gjykata Supreme konfirmon dënimet e shqiptuara për rastin e lumit Tisa

3 tetor 2012

Një trup gjykues në Gjykatën Supreme i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe tre vendas dhe i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it, i hodhi poshtë të gjitha ankesat e parashtruara në emër të shtatë të pandehurve për rastin e lumit Tisa dhe i vërtetoi të gjitha dënimet me burgim. Trupi gjykues e ndryshoi sipas detyrës zyrtare aktgjykimin e shkallës së parë në lidhje me kualifikimin juridik të veprave, por mori vendim që të pandehurve të mos ju ndryshohen dënimet e shqiptuara nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Gjykata Supreme e ndryshoi vendimin e shkallës së parë si në vijim: A.H., Sh.A., I.K. dhe Sh.S. shpallen fajtorë për veprën penale të krimit të organizuar në lidhje me veprën e kontrabandimit të emigrantëve. F.P., Xh.H. dhe B.A. shpallen fajtorë për veprën penale të kontrabandimit të emigrantëve. Të gjithë të pandehurit u shpallën fajtorë për rolin e tyre në vdekjen tragjike të pesëmbëdhjetë personave të cilët në tetor të vitit 2009 u mbytën në lumin Tisa mes Serbisë dhe Hungarisë.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte dënuar A.H. me një dënim të përgjithshëm prej 19 viteve burgim dhe gjobë prej 250.000 euro. Sh.A. ishte dënuar me dënim të përgjithshëm prej 17 viteve burgim dhe gjobë prej 200.000 euro. F.P. ishte dënuar me shtatë vite burgim dhe Xh.H. ishte dënuar me kusht me dy vite burgim. I.K. dhe Sh.S. ishin dënuar me nga tetë vite burgim. B.A. ishte dënuar me dënim të përgjithshëm prej pesë viteve burgim.