English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

Shefi i EULEX, Xavier de Marnhac, në Ditën evropiane kundër trafikimit

18 tetor 2012

“Sot shënohet Dita e gjashtë evropiane kundër trafikimit, ditë kjo e cila shërben për ngritjen e vetëdijesimit të qeverive, mediave dhe të të gjithë personave se trafikimi i qenieve njerëzore është krim i rëndë dhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Çdo vit në Evropë trafikohen me qindra mijëra gra, burra, djem dhe vajza për qëllime të shfrytëzimit seksual apo të shfrytëzimit për punë, heqje të organeve, kërkim të lëmoshës, shërbim nëpër shtëpi, martesa pa pëlqim, adoptim të paligjshëm si dhe për mënyra të tjera të shfrytëzimit.

Në qershor të vitit 2012, Komisioni Evropian e miratoi Strategjinë e BE-së për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Parandalimi, mbrojtja, ndjekja penale dhe partneriteti janë në qendër të qasjes holistike të kësaj strategjie të re.

EULEX-i është duke i marrë hetimet dhe ndjekjet penale të këtij lloj krimi me seriozitet, përmes shumë hetimeve që janë në vazhdim e sipër, me disa raste tani më të zgjidhura dhe me tri raste të tjera që janë në fazën e gjykimit. Në planin e vet për zbatimin e misionit, EULEX-i ka si objektivë luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore. EULEX-i gjithashtu e ka edhe një këshilltar special në Drejtorinë e Policisë së Kosovës për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

Përmes punës së tij në grupin punues ndërministror, EULEX-i i ndihmon Qeverisë së Kosovës për zbatimin e Strategjisë nacionale dhe të planit të veprimit. Mandati i këtij grupi është bashkërendimi i zbatimit të politikave dhe monitorimi dhe raportimi mbi progresin e koordinatorit nacional kundër trafikimit i cili është edhe kryesuesi i grupit.

EULEX-i është i zotuar për të kontribuar në përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për eliminimin e të gjitha formave të trafikimit. Identifikimi i hershëm i viktimave dhe ndihma dhënë atyre, si dhe identifikimi i metodave ndryshuese të trafikantëve kërkon veprime të bashkërenduara”.