|
22 tetor 2012
Të premten më 19 tetor 2012, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe vendas në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, e shpalli K.P., ish gjyqtar, fajtor për lëshimin e vendimeve të paligjshme gjyqësore, shpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit, shpërlarje parash dhe mashtrim. K.P. iu shqiptua dënimi prej dhjetë viteve burgim, dhe iu ndalua ushtrimi i detyrave publike apo juridike për tre vjet pas vuajtjes së dënimit.
Gjykata vërtetoi se K.P. ka mashtruar Kompaninë e Sigurimeve të Kosovës në Likuidim për 1,2 milionë euro, duke plotësuar parashtresa të falsifikuara për kompensim, në emër të më shumë se njëzet palëve, që kinse kishin pësuar aksidente para luftës. Porse palët e dëmtuara nuk kishin qenë në dijeni që këto parashtresa janë plotësuar në emrin e tyre, dhe ata kurrë nuk i kishin pranuar paratë e paguara nga Kompania.
Si rrjedhojë e dënimit për shpërlarje parashë, prokurori është i autorizuar që ta fillojë procedurën në Gjykatën e Qarkut për konfiskimin e mjeteve të fituara nga shpërlarja e parave.
Dy të akuzuarit e tjerë, Z.M. dhe L.P., janë liruar nga të gjitha akuzat. Sipas prokurorit, ata pretendohej se kishin bashkëpunuar me K.P. në mashtrimin e Kompanisë së Sigurimeve, por gjykata vërtetoi se nuk kishte dëshmi të mjaftueshme për t’i mbështetur këto akuza.
Rastin e ka ndjekur penalisht një prokuror vendas nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).