|
09 nëntor 2012, Prishtinë
Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPBSL) mbajti sot takimin e vet të rregullt në selinë e EULEX-it në Prishtinë. Nikoqir i takimit ishte Xavier de Marnhac, shef i EULEX-it dhe bashkë-kryesohej nga Samuel Žbogar, Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues Special i BE-së Hajredin Kuçi, Zëvendëskryeministër i Kosovës dhe Ministër i Drejtësisë.
Theksi i këtij takimi ishte nënshkrimi i Marrëveshjes Kompakte, e cila përcakton objektivat e përbashkëta të sundimit të ligjit për Qeverinë e Kosovës, Zyrën e BE-së dhe EULEX-in. Pjesëmarrësit u pajtuan se ka pasur disa zhvillime të rëndësishme nga takimi i fundit dhe për përgatitjen në zbatimin e veprimtarive të përbashkëta gjatë muajve të ardhshëm.
Në fjalën e tij hyrëse, Shefi i Misionit foli për mënyrën e ecjes përpara të EULEX-it pas rikonfigurimit të tij.
“Ajo çfarë nuk duhet harruar është fakti se ri-konfigurimi i EULEX-it është një dëshmi shtesë e prekshme e përparimit të arritur nga institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit. Kjo lëvizje e madhe në rrafshin operacional kryesisht ka qenë e mundur në sajë të arritjeve të përbashkëta, duke mundësuar kështu reduktimin e rreth një të tretës së numrit të përgjithshëm të stafit të EULEX-it.”
De Marnhac theksoi rëndësinë e marrëveshjes Kompakte duke deklaruar se:
“Marrëveshja Kompakte është një sinjal i fuqishëm për publikun e Kosovës se qeveria dhe institucionet e tyre janë të përkushtuara ndaj përparimit të sundimit të ligjit dhe tregojnë qasjen e tyre të vendosur drejt përafrimit me Bashkimin Evropian.”
Shefi i Zyrës së BE-së dhe PSBE Samuel Žbogar deklaroi se bashkëpunimi i përbashkët është kyç në zhvillimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
"Me bordin e përbashkët bashkërendues, ne e kemi themeluar një bashkërendim trepalësh mes autoriteteve të Kosovës nga fusha e sundimit të ligjit, EULEX-it dhe Zyrës së BE-së. Në këtë fazë të re, përparimi kryesisht do të matet përmes zbatimit dhe EULEX-i mund të japë ndihmë të drejtpërdrejtë në këtë drejtim. Po ashtu, Zyra e BE-së do t’i ndërlidhë këto çështje me procesin e gjerë e të vazhdueshëm të integrimit në BE, siç është marrëveshja për stabilizim asocim dhe procesi i liberalizimit të vizave."
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, e përshkroi marrëveshjen e kompaktit si zotim i Qeverisë së Kosovës për një bashkërendim të përkushtuar me komunitetin ndërkombëtar.
“Mendoj se ky nënshkrim i kompaktit është edhe një hap tjetër që tregon zotimin e Qeverisë së Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe bashkërendimit të mirë me komunitetin ndërkombëtar – në këtë rast përmes EULEX-it, drejt arritjes së këtij synimi jetik. Ky është dokument që pasqyron ambiciet e përbashkëta të Qeverisë së Kosovës dhe të EULEX-it, duke ofruar veprime konkrete që duhet të ndërmerren në komponentat e EULEX-it për zhvillimin e kapaciteteve, bashkërendim dhe punë të madhe që kërkohet nga institucionet vendore dhe mënyrën sipas së cilës do të bëhet kalimi i kompetencave në përfundim të mandatit të parashikuar. Besoj se ky dokument do të jetë udhëzim i fuqishëm drejt fuqizimit të institucioneve tona si dhe do të paraqesë gatishmërinë e institucioneve tona për marrjen e kompetencave për administrimin e përgjithshëm të drejtësisë.”
De Marnhac, Žbogar dhe Kuçi, si bashkëkryesues të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPBSL), nënshkruan marrëveshjen e kompaktit gjatë ceremonisë që u mbajt menjëherë pas përfundimit të takimit të rregullt të anëtarëve të bordit.