|
19 dhjetor 2012
Trupi gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe tre gjyqtarë vendas, i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it në Gjykatën Supreme e refuzoi ankesën e dytë të parashtruar nga avokati mbrojtës për një rast të vrasjes që kishte të bënte me gjakmarrje. Me anë të kësaj trupi gjykues i vërtetoi në tërësi aktgjykimet e më përparshme lidhur me këtë rast me anë të cilave i pandehuri ishte dënuar me njëzet e pesë vite burgim. Ky është vendim i plotfuqishëm ndaj të cilit nuk mund të ushtrohet ankesë.
Ky rast ka të bëjë me një incident në vitin 2004 në një fshat të Komunës së Gjakovës ku u vranë dy persona. Ky incident kishte ndodhur si hakmarrje për një vrasje tjetër që ishte kryer në vitin 2000. Në gusht të vitit 2005, Prokurori Publik i Qarkut në Pejë ka ngritur aktakuzë me të cilën akuzoi D.N. për dy vepra të vrasjes. Aktakuza ishte konfirmuar në tetor të vitit 2008. Në qershor të vitit 2009, Gjykata e Qarkut në Pejë e shpalli D.N. fajtor për dy veprat penale të vrasjes të kryera për gjakmarrje dhe në mënyrë brutale ose tinëzare.
Duke vendosur në lidhje me ankesat e parashtruara në emër të pandehurit dhe në emër të palës së dëmtuar, Gjykata Supreme e kishte anuluar këtë aktgjykim dhe ia kishte kthyer lëndën për rigjykim gjykatës së shkallës së parë. Më 15 tetor 2010, Gjykata e Qarkut në Pejë e shpalli të pandehurin D.N. fajtor për dy veprat penale të vrasjes të kryera për gjakmarrje dhe në mënyrë brutale ose tinëzare dhe e dënoi atë me 25 vite burgim. Në gusht 2012 avokati mbrojtës parashtroi ankesë kundër këtij aktgjykimi. Tani kjo ankesë u refuzua.
Rastin e ka ndjekur penalisht një prokuror vendas i Prokurorisë së Qarkut.