English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

Refuzohet padia pronësore kundër manastirit

28 dhjetor 2012

Një trup gjykues i përzier i Dhomës së Posaçme i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it mori dy vendime për rastet që kanë të bëjnë me të drejtat pronësore për përafërsisht njëzet e tre hektarë toke që ndodhen brenda dhe jashtë zonës së posaçme të Manastirit të Deçanit. Trupi gjykues i refuzoi si të pabazuara paditë e dy Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH) kundër Manastirit të Deçanit.

Këto raste kanë të bëjnë me kontrata për donacion ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Manastirit të Deçanit më 1997. NSH Apiko dhe NSH Iliria, në dy procedura të ndara gjyqësore, i kanë kundërshtuar këto donacione dhe e kanë pretenduar pronësinë mbi këto prona. Duke u bazuar në vendimet e formës së prerë të Panelit Ankimor të Dhomës së Posaçme, Paneli i Pronës në vendimin e tij e pranoi që Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut, si përfaqësuese e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, ka bazë ligjore të jetë Paditës në emër të NSH-ve.

Paneli pranoi që marrëveshja e arritur ndërmjet UNMIK-ut dhe Manastirit ishte paraqitur në gjykatë në pajtueshmëri me rregullat e procedurës. Kjo marrëveshje parasheh që UNMIK-u të heq dorë nga ankesat e NSH Apiko dhe NSH Iliria në lidhje me parcelat kadastrale në kuadër të zonës së posaçme të Manastirit të Deçanit, ndërsa Manastiri të heq dorë nga të drejtat mbi parcelat kadastrale jashtë zonës së posaçme në favor të NSH Iliria. Paneli i pronës e vërtetoi ligjshmërinë e kësaj marrëveshjeje dhe kështu i refuzoi ankesat e NSH-ve si të pabazuara. Në të dhënat kadastrale, tokat tashmë janë të regjistruara në emër të NSH-ve.

NSH Apiko dhe NSH Iliria fillimisht ushtruan ankesë në Gjykatën Komunale në Pejë dhe në Deçan në vitin 2000.