English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

Gjykata Supreme refuzon ankesat për rastin e shpërthimit të bombës në Bulevardin Bill Klinton

16 janar 2013

Një Trup gjykues i përbërë prej tre gjykatësve të EULEX-it dhe dy gjykatësve të Kosovës, i kryesuar nga një gjykatës i EULEX-it, në Gjykatën Supreme ka refuzuar ankesat e paraqitura nga B.H. dhe Sh.Q. për rastin e ashtuquajtur shpërthimi i bombës në Bulevardin Bill Klinton. Kjo është hera e dytë që Gjykata Supreme në cilësinë e instancës së shkallës së tretë ka refuzuar ankesat e paraqitura nga këta të pandehur.

Trupi gjykues i ka refuzuar si të pabaza ankesat e paraqitura nga B.H. dhe Sh.Q. dhe ka mbështetur vendimin e mëparshëm të Gjykatës Supreme, e cila asokohe kishte vepruar si instancë e shkallës së dytë. Në atë kohë, Trupi gjykues nga Gjykata Supreme e kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për dënimin e të pandehurve për vepra penale të vrasjes së rëndë në bashkëpjesëmarrje dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore në bashkëpjesëmarrje.

Rasti ka të bëjë me shpërthimin që kishte ngjarë në katin përdhesë të ndërtesës e cila ndodhet në Bulevardin Bill Klinton, Lagja e Dardanisë në Prishtinë, më 24 shtator 2009. Nga pasojat e këtij shpërthimi kishin humbur jetën dy persona dhe disa persona ishin lënduar.

Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror i EULEX-it, i Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Kosovës.