|
30 janar 2013
Policia e EULEX-it dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës kanë marrë pjesë sot në një konferencë ndërkombëtare për shtyp në Budapest, Hungari ku është paraqitur përmbyllja e suksesshme e një operacioni në shkallë të gjerë në Evropë lidhur me kontrabandimin e imigrantëve nga Siria, Libia dhe Turqia për në Evropën Perëndimore. Operacioni në Evropë ishte bërë i mundur në bazë të inteligjencës dhe informacioneve të siguruara nga EULEX-i.
Gjatë operacionit të djeshëm, i cili u zhvillua njëkohësisht në 10 vende, janë arrestuar 103 persona dhe janë kryer 117 bastisje. Një kontribut i këtillë i Policisë së EULEX-it dhe i Policisë së Kosovës nuk ishte shënuar më herët përkitazi me një operacion kaq të gjerë i cili përfundoi në mënyrë të suksesshme.
The operation took place simultaneously in 10 countries |
Në operacionin e përbashkët që u zhvillua dje, Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës i kanë arrestuar tre persona, ndërsa një person tjetër ishte arrestuar javën e kaluar, kurse 11 të tjerë qenë arrestuar në vitin 2011 dhe 2012, duke e ngritur në 15 numrin e personave të dyshuar vetëm në Kosovë. Sipas pohimeve, disa prej udhëheqësve kryesorë të këtij rrjeti kriminal transnacional kishin operuar nga Kosova, e cila shërbente si rrugë tranziti nga Siria, Libia dhe Turqia drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
Projekti i ashtuquajtur Fimathu ishte kryer nën ombrellën e EUROPOL-it dhe e ka përfshirë edhe bashkëpunimin me Kosovën, Malin e Zi, Hungarinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Austrinë, Italinë, Slloveninë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Republikën Çeke dhe Sllovakinë.
Në Kosovë, rasti është hetuar nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës.