|
1 shkurt 2013
Shefi i ri i misionit EULEX, Bernd Borchardt, në ditën e tij të parë si shefi i misionit më të madh civil të BE-së ka premtuar se do ta vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet e Kosovës.
Z. Borchardt, ish-ambasador gjerman në Tiranë, u takua me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Zëvendëskryeministren Edita Tahiri dhe Ministrin e Brendshëm Bajram Rexhepi, si edhe me zyrtarë të tjerë të Qeverisë.
“Për EULEX-in dhe Kosovën ka ende shumë sfida. Ne jemi së bashku në partneritet dhe bashkë me këtë partneritet vijnë edhe përgjegjësitë për të gjitha palët. EULEX-i do të vazhdojë ta mbështes Kosovën për ta përmirësuar sundimin e ligjit dhe për ta shtyrë përpara perspektivën evropiane të saj”, tha z. Borchardt.
Po ashtu, mirëseardhje në postin e tij të ri i uroi Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.
Në takimet e tij me zyrtarët e Qeverisë dhe në deklaratat për media, Shefi i ri i Misionit e përmendi operacionin policor mbarë-evropian kundër kontrabandimit me migrantë, i cili u zhvillua në fillim të kësaj jave. Me këtë rast u arrestuan dhjetëra persona. “Ky operacion është ndihmuar në masë të madhe nga puna e EULEX-it dhe e Policisë së Kosovës. Kjo tregon se sa efikas mund të jemi duke punuar së bashku”, tha z. Borchardt.