|
15 shkurt 2013
Një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë të EULEX-it në Gjykatën Themelore në Mitrovicë i dënoi dy policë për vepra penale lidhur me korrupsionin dhe i shfajësoi katër të tjerë nga akuzat e ngjashme.
Trupi gjykues e shpalli fajtor të pandehurin A.Sh. për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe autoritetit dhe e dënoi atë me pesë muaj burgim. Dënimi është pezulluar për një periudhë dy vjeçare të verifikimit. A.Sh. u lirua nga vepra penale e marrjes së mitës.
N.P., po ashtu, u shpall fajtor për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe autoritetit dhe për marrje të mitës dhe iu shqiptua një dënim i përgjithshëm prej një vjet e dy muaj burgim. Dënimi është pezulluar për një periudhë verifikimi prej dy vjet e gjashtë muaj.
Të pandehurit N.D., B.S., K.H. dhe H.F. u shpallën të pafajshëm dhe u liruan nga të gjitha akuzat.
Gjashtë të akuzuarit, të gjithë policë, në aktakuzë u akuzuan për shpërdorim të pozitës zyrtare për dhënie të informatave një dëshmitari bashkëpunues në lidhje me rrugët që mund t’i shfrytëzonte për aktivitetet e tij të paligjshme transportuese dhe për vendndodhjen e pikave të kontrollit të policisë. Aktakuza, po ashtu, pohonte që në disa raste, disa nga të akuzuarit, kur ishin të vendosur në pikat e kontrollit, personalisht e lejonin dëshmitarin bashkëpunues që të kalonte me mallrat kontrabandë.
Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror special i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).