English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

 

Raportet e mediave për gërmimet në Mitrovicë janë të pasakta

25 mars 2013

EULEX-i i përgënjeshtron raportet e pasakta të mediave lidhur me operacionet në terren në Mitrovicë të cilat janë duke u zhvilluar nën mbikëqyrjen e ekspertëve të këtij misioni nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML).

Është me rëndësi të nënvizohet se DML i EULEX-it punon në bazë të informacionit të siguruar prej burimeve të ndryshme lidhur me lokacionet e personave të pagjetur. Edhe pse i gjithë informacioni i siguruar analizohet në hollësi, DML i EULEX-it nuk mund të garantojë që informacioni i siguruar mund të çojë drejt rezultateve të prekshme. Mu për këtë është e nevojshme që gërmimi i plotë të bëhet sipas standardeve të njohura ndërkombëtare.

Raportet e fundit nga shtypi, në veçanti i referohen zhvillimit të operacioneve në lumin Sitnica në Mitrovicë. Raporti, në të cilin thuhet se është gërmuar një kanal në formë të shkronjës "L" dhe më pas operacioni është përfunduar, është i pasaktë. Në të vërtetë, janë gërmuar tre kanale – më i gjati ishte 17 metra ndërsa më i thelli ishte 3.7 metra. Gërmimi ishte kryer në prezencë të Njësisë së EULEX-it për Hetimin e Krimeve të Luftës (NJHKL), Komisionit të Qeverisë për Personat e Pagjetur, Kryesuesit të Shoqatës së Familjeve "Zëri i Prindërve" dhe personit që ka siguruar informacionin për këtë rast. Në asnjërin prej këtyre tri lokacioneve nuk janë gjetur mbetje mortore.

Raportet e mediave të cilat nuk e pasqyrojnë të vërtetën e dëmtojnë të drejtën e opinionit për t'u informuar drejtë për aktivitetet dhe përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe EULEX-it, lidhur me kërkimin e personave të pagjetur në Kosovë. Këto raporte, po ashtu krijojnë shqetësime të panevojshme për familjet e personave të pagjetur.

Departamenti i EULEX-it për Mjekësi Ligjore i ka kryer pesë operacione në terren në vitin 2013, me ç'rast janë gjetur mbetjet mortore të dy personave. Që nga muaji janar, gjatë punës së kryer në morg janë identifikuar njëmbëdhjetë persona. Mbetjet mortore të 26 personave u janë dorëzuar familjeve dhe autoriteteve. Nga ky numër, 19 raste kishin të bënin me kompletimin e eshtrave të personave të identifikuar më herët, ndërsa pjesët tjera të mbetjeve mortore u përkisnin personave të pagjetur të cilët ishin zbuluar rishtazi.

Për çfarëdo pyetje shtesë, familjet e personave të pagjetur janë të mirëseardhur që të kontaktojnë me Departamentin e EULEX-it për Mjekësi Ligjore (DML).