English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

Tetë të dyshuar tjerë nën hetime në lidhje me rastin Medicus

30 prill 2013

Një prokuror special i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar një urdhër për zhvillimin e hetimeve kundër tetë të dyshuarve. Tetë të dyshuarit janë duke u hetuar për veprat penale siç janë krimi i organizuar, trafikimi me qenie njerëzore, lëndimet e rënda trupore, keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autoritetit, mashtrimi dhe ushtrimi i ndikimit.

Ky hetim i ri është i bazuar në hetimet e kryera në rastin Medicus, si dhe në gjetjet tjera gjatë fazës së gjykimit. Të dyja rastet zbuluan dyshimet e bazuara se të dyshuarit e lartcekur kanë vepruar në bashkëkryerje apo kanë ndihmuar në mënyrë të direkte apo indirekte pjesëtarët e grupit të krimit të organizuar në kryerjen e veprave të rënda, siç është trafikimi me qenie njerëzore me qëllim të heqjes së organeve.

Supozohet se pa përkrahjen apo bashkëpjesëmarrjen e këtyre të dyshuarve, pjesëtarët e grupit kriminal në Medicus nuk do të ishin në gjendje të kryejnë përgatitjet, që paraqesin elementet thelbësore të actus reus (veprave penale), për të arritur rezultatet e dëshiruara apo tentojnë të fshehin veprimet e tyre të paligjshme duke inskenuar një gjendje gjoja ligjore.