|
06 qershor 2013
Sot, një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX-it dhe gjyqtarëve kosovarë vendosi që t'i lirojë nga arresti shtëpiak të gjithë dhjetë të pandehurit për rastin Kleçka. Mirëpo, prej tash e deri në përfundimin e gjykimit kryesor, të pandehurit janë të obliguar që për çdo ditë të paraqiten në stacionin policor. Pasaportat e tyre mbeten të konfiskuara dhe ata nuk mund të largohen nga Kosova.
Trupi gjykues vendosi që ta zëvendësojë masën e arrestit shtëpiak me masën e lajmërimit në stacionin policor për shkakun se në vendimet e mëhershme të Gjykatës së Apelit është thënë se masa e arrestit shtëpiak ishte kryesisht e nevojshme për ta shmangur rrezikun e ndikimit tek dëshmitarët. Dëshmitari i fundit i prokurorisë ka dëshmuar gjatë seancës gjyqësore kryesore më 5 qershor 2013.
Seancat gjyqësore kryesore për këtë rast do të vazhdojnë më 3 korrik 2013, me ç' rast të pandehurit do të fillojnë me paraqitjen e rasteve të tyre. Kodi i Procedurës Penale i Kosovës parashikon që gjatë zbatimit të masës së kufizimit për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale, gjykata duhet të sigurojë që të mos e zbatojë ndonjë masë më të ashpër, nëse do të mjaftonte masa më e butë.
Të gjitha palët kanë të drejtën e apelit ndaj vendimit të gjykatës.