English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

Katër persona e pranojnë fajësinë për një rast të kontrabandës me emigrantë

1 korrik 2013

Më 28 qershor 2013, një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë vendas të Gjykatës Themelore të Prishtinës, i pranoi zyrtarisht tri marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, të cilat u arritën në mes të një prokurori të EULEX-it dhe prokurorit vendas, që punonin në ekip të përzier, dhe tre të akuzuarve në një rast të kontrabandës me emigrantë. I akuzuari i katërt u deklarua fajtor në gjykatë. Të gjitha akuzat kishin të bënin me kontrabandë dhe tentim kontrabande të emigrantëve nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara në periudhën ndërmjet 2009 dhe 2011. Njëri nga të akuzuarit u lirua nga fajësia me kërkesën e prokurorëve. Një tjetër kryes i veprës që kishte lidhje me këtë rast ishte arrestuar ne Shqipëri në vitin 2012 dhe qe ekstraduar për në Shtetet e Bashkuara, ku edhe ai e pranoi fajësinë.

J.S. e nënshkroi marrëveshjen për pranimin e fajësisë për një pikë të akuzës lidhur me tentimin e kontrabandës me emigrantë dhe u dënua me 15 muaj burgim.

B.N. e nënshkroi marrëveshjen për pranimin e fajësisë për një pikë të akuzës lidhur me tentimin e kontrabandës me emigrantë dhe një pikë tjetër për posedim të dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit dhe u dënua me 16 muaj burgim.

N.A. e pranoi fajësinë në gjykatë për një pikë të akuzës lidhur me kontrabandën me emigrantë, tentimin e kontrabandës me emigrantë dhe për posedim të dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit dhe u dënua me 20 muaj burgim.

P.K. e nënshkroi marrëveshjen për pranimin e fajësisë për kontrabandë me emigrantë, tentimin e kontrabandës me emigrantë dhe për posedim të dokumenteve të falsifikuara dhe u dënua me 22 muaj burg.

Rasti është ndjekur penalisht nga një ekip i përbërë nga një prokuror i EULEX-it dhe një prokuror vendas nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.