English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

EULEX-i dhe Ministria e Punëve të Brendshme e nënshkruan marrëveshjen për shkëmbimin e informatave të inteligjencës

16 korrik 2013

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, e nënshkruan sot Marrëveshjen Teknike për Shkëmbimin e Informatave të Inteligjencës ndërmjet këtyre dy institucioneve.

Kjo marrëveshje synon ta lehtësojë shkëmbimin e informatave ndërmjet KP-së dhe Policisë së EULEX-it me qëllim të parandalimit, zbulimit dhe zvogëlimit të kriminalitetit në Kosovë. Në veçanti, ajo ka të bëjë me krimin e organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore, armëve dhe narkotikëve, krimet financiare, nivelin e lartë të korrupsionit dhe trazirat civile.

Bernd Borchardt, Shef i EULEX-it, e theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informatave të inteligjencës ndërmjet misionit dhe Policisë së Kosovës lidhur me luftimin e krimit në Kosovë.

"Partneriteti ndërmjet institucioneve kosovare për sundimin e ligjit dhe EULEX-it vazhdon të jetë prioritet për misionin. Tani kur gjithnjë e më shumë raste po hetohen bashkë nga hetuesit e EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës, kjo marrëveshje do ta mundësojë shkëmbimit të informatave të inteligjencës, e cila do ta rrisë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprave penale tjera në Kosovë", tha Borchardt.

Ministri Bajram Rexhepi tha se "kjo marrëveshje mundëson shkëmbimin e sigurt, të besueshëm dhe efikas të informatave strategjike dhe operative dhe të informatave të inteligjencës për veprimet kriminale që janë të nevojshme për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e krimeve të rënda. Me arritjen e kësaj marrëveshjeje teknike pritet që të forcohet edhe më shumë bashkëpunimi ekzistues i mirë me EULEX-in".