English Shqip / Srpski

 
Komunikata për media

Shefi i Misionit u takua me komandantin rajonal në veri

13 gusht 2013

Shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt u takua sot me komandantin rajonal në detyrë Nenad Djuric. Ata diskutuan për punën e Ekipit të Komandës Rajonale të Policisë së Kosovës dhe për sfidat e kryerjes me sukses të detyrave policore në veri.

Borchardt nënvizoi se EULEX-i po i ofron ekspertizë dhe mbështetje ekipit të ri për detyrat policore në veri.

Shefi i EULEX-it dhe komandanti rajonal në detyrë, po ashtu, biseduan për një operacion të përbashkët në mbështetje të luftimit të shpyllëzimit të paligjshëm që është kryer sot nga Policia e Kosovës dhe Policia e EULEX-it. Operacioni është përbërë nga mbledhja e informacioneve të bëra nga ajri dhe toka dhe është shembull i punës së përbashkët të PK-së dhe të EULEX-it për ta luftuar krimin e organizuar. Operacioni është përbërë nga elementet tokësore të PK-së me mbështetje nga elementet e Departamentit për Fuqizimit të Policisë dhe të Task Forcës në Mitrovicë. Operacioni ishte përgjigje ndaj shqetësimeve të komunitetit në zonën e Leposaviqit në lidhje me dëmin e konsiderueshëm ekologjik dhe ekonomik që po shkaktohet nga shpyllëzimi i paligjshëm.

"Jam shumë i lumtur që takohem me z. Djuric sot. Planet e tij për të punuar me komunitetin që ta garantojë sigurinë dhe qetësinë e tyre janë pikërisht ato që nevojiten", tha Borchardt.

Në fillim të muajit gusht, EULEX-i pozicionoi këshilltarë shtesë me përvojë nga Prishtina në Mitrovicë në mënyrë që ta mbështesin ekipin e komandës rajonale të Policisë së Kosovës në veri dhe në veçanti komandantin rajonal në detyrë Nenad Djuric. Ata do ta plotësojnë mbështetjen e vazhdueshme të Monitorimit, Mentorimit dhe Këshillimit (MMK) për PK-në në veri dhe do të sigurojnë që misioni ofron qasje MMK konsekuente dhe 'të bashkuar" në të gjitha nivelet në kuadër të strukturës komanduese të PK-së.