|
20 shtator 2013
Sot në një takim në Prishtinë, Komandanti i Operacioneve Civile Haber dhe Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi diskutuan për vdekjen tragjike të pjesëtarit të EULEX-it, Audrius Senavicius.
Pas takimit z. Haber tha:
"Kam ardhur në Kosovë sot ta shpreh solidaritetin dhe bashkë ndjenjën me kolegët e mi në terren. Është një ngjarje tragjike dhe është me rëndësi që personeli i EULEX-it në terren ta dijë që mbështeten dhe vlerësohen nga nivelet më të larta të udhëheqjes në Bruksel. Sot është një ditë në të cilën e kujtojmë kolegun tonë të rënë Audrius Senavicius dhe unë sot herët në mëngjes e kam vizituar bazën në Mitrovicë, ku jam takuar me pjesëtarët e tjerë të përfshirë në incident dhe e kam hapur librin e ngushëllimeve për z. Senavicius. Unë kam besim të plotë që personeli ynë policor dhe ai gjyqësor, duke punuar së bashku me policinë dhe institucionet gjyqësore të Kosovës, do të kryejnë një hetim të hollësishëm të ngjarjes së djeshme tragjike dhe që ata do t'i hetojnë hollësisht edhe incidentet e tjera të cilat kanë ndodhur, siç është rasti i Lagjes së Boshnjakëve sot në mëngjes. Dua të theksoj që sot në mëngjes pjesëtarët tanë të policisë dhe të doganës kanë shkuar në vendet e tyre të punës në veri. Ky është një demonstrim i vërtetë i profesionalizimit dhe i përkushtimit të tyre."
Zëvendëskryeministri Kuçi tha:
"Dëshiroj ta shfrytëzoj rastin dhe t'i shpreh ngushëllime EULEX-it dhe familjes dhe miqve të z. Senavicius. Qeveria e Kosovës është e gatshme t'ia ofrojë EULEX-it çdo ndihmë përmes institucioneve të saj të sundimit të ligjit. Tashmë jemi duke bashkëpunuar mirë së bashku në hetimin e përbashkët policor në terren. Jam i kënaqur të theksoj që sot në mëngjes si pjesëtarët e Policisë Kufitare të Kosovës ashtu edhe ata të Doganës së Kosovës kanë qenë në gjendje të udhëtojnë në vendet e tyre të punës në veri si zakonisht. Ky krim nuk do të na zmbraps nga zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit."