|
Ekspertë të EULEX-it nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML) dhe Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimeve të Luftës (NjHKL) të shtunën (12 tetor 2013) nxorën mbetjet mortore të së paku katër personave që besohet se i takojnë kohës së konfliktit në Kosovë. Zbulimi u bë prej një qytetari i cili ishte duke ecur nëpër një fushë në afërsi të fshatit Rastavicë në Deçan. Rasti ishte raportuar pasditen e së premtes tek Policia e Kosovës dhe NjHKE të EULEX-it. Ditën në vijim, ekspertët e mjekësisë ligjore prej DML të EULEX-it, zyrtarët e NjHKL, dhe PK-ja nga Deçani, dolën në vendin e ngjarjes dhe i nxorën mbetjet mortore.
Alan Robinson, bashkëudhëheqësi i DML-së tha se ata kishin gjetur një numër të konsiderueshëm të eshtrave, disa rroba dhe indikacione të tjera të fuqishme se ato i përkisnin periudhës së konfliktit në Kosovë apo periudhës rreth asaj kohe.
"Ne po i trajtojmë ata si persona potencialisht të zhdukur. Ne e kemi përcaktuar praninë e së paku katër individëve, tre meshkuj të rritur dhe sipas mundësisë një femër e rritur. Mbetjet kishin qëndruar në sipërfaqe për shumë vite, andaj disa mungojnë dhe ishin shumë të shpërndara. Faktikisht është e mundur që ky të mos ishte vendi fillestar i vendosjes dhe që këto mbetje ishin sjellë këtu prej një lokacioni tjetër. Ne do të kryejmë analiza të mëtejme mjeko-ligjore në DML, dhe shpresojmë që t'i identifikojmë në të ardhmen e afërt", tha Robinson.
Që nga fillimi i Misionit EULEX, ekspertët në DML kanë kryer 407 operacione në teren, me qëllim të mbledhjes së të dhënave nga tereni, të cilat kanë mundësi të shpijnë në zhvarrosje dhe procese të tjera të ndërlidhura mjeko-ligjore. Prej këtyre, 267 ishin persona të zhdukur, ndërsa pjesa tjetër kishte të bënte me rastet penale apo kërkesat për vërtetimin e identitetit nga ana e familjeve.