|
Sot, ekspertët e mjekësisë ligjore të EULEX-it nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML) dhe autoritetet serbe filluan me hulumtimin e një lokacioni për të cilin dyshohet të ketë një varrezë masive që daton nga koha e konfliktit në Kosovë. Ky lokacion gjendet në gurëthyesin e Rudnicës, komuna e Rashkës, Serbi. Hulumtimi ka filluar në prani të autoriteteve serbe, komisioneve qeveritare të Kosovës dhe Serbisë për personat e zhdukur, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe përfaqësueseve të UNMIK-ut.
Alan Robinson, shef i ekspertëve të EULEX-it të mjekësisë ligjore, shpjegoi se pas një bashkërendimi të gjerë me të gjitha palët relevante me interes, ishte vendosur që hulumtimi të kryhet në disa faza. "Secila fazë do të përfshijë lokacionin ku do të bëhet gërmimi. Në veçanti jemi të interesuar për tre lokacione. Për fazën e parë, ne i kemi dhënë prioritet një lokacioni që konsiderohet më i rëndësishëm. Nëse rezultati do jetë negativ, ne pastaj do të vazhdojmë me fazën e dytë, varësisht prej motit. Përndryshe, faza e dytë do të fillojë në pranverë të vitit 2014. Nëse do të paraqitet nevoja, ne pastaj do të vazhdojmë me lokacionin e fundit", tha Robinson.
Disa pjesë të lokacionit të gurëthyesit në Rudnicë ishin hulumtuar më herët në vitin 2007 dhe pastaj në vitin 2010 dhe 2011. Mirëpo, hulumtimi për këtë lokacion potencial ka vazhduar dhe ka çuar deri te ky projekt aktual. "Nuk ka mundësi të thuhet se për sa kohë do të punohet këtu", tha Robinson, "Por ky lokacion i parë, fillimisht do të hulumtohet për rreth pesë ditë. Nëse gjejmë mbetje mortore, atëherë operacioni do të zgjerohet në masë të konsiderueshme".