|
Një trup gjykues i përzier i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë dhe vendas në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot dënoi Y.J. me një dënim të përgjithshëm prej njëmbëdhjetë (11) vjet burgim dhe me gjobë prej 25,000 euro për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të drogave të rrezikshme narkotike dhe të substancave psikotropike duke e shkelur nenin 229 të KPPK dhe për krim të organizuar duke e shkelur nenin 274 të KPPK.
Trupi gjykues konstatoi se, mes muajit maj 2010 dhe janar 2011, i pandehuri kishte qenë përgjegjës për bashkërendimin e trafikimit të disa dërgesave të heroinës përmes rrugëve tokësore ndërmjet Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Kur u arrestua në Prishtinë në tetor 2012, në objektin të cilin e kontrollonte ai u gjet një sasi e heroinës.
U zbulua gjithashtu se ai ishte bashkërendues i një grupi të krimit të organizuar në të cilin përfshiheshin dhjetë kriminelë të njohur, shumica prej të cilëve ishin të vendosur në Gjermani gjatë kryerjes së aktiviteteve të tyre kriminale. Ata tashmë janë dënuar me dënime të gjata me burg në Munih.
Hetimi ishte rezultat i një operacioni në të cilin u përfshinë hetuesit të cilët punuan në bashkëpunim të ngushtë prej Republikës Federale të Gjermanisë, hetuesit e EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës. Pjesa më e madhe e dëshmive përbëhej nga përgjimet e telefonave, mbikëqyrja dhe konfiskimi i drogës në Munih dhe ishte pjesë e një operacioni më të gjerë në shënjestër të të cilit ishin trafikantët e narkotikëve. Operacioni demonstron bashkëpunimin e shkëlqyeshëm juridik ndërkombëtar ndërmjet agjencive për zbatimin e ligjit dhe të prokurorëve të Republikës Federale të Gjermanisë dhe të Kosovës.
Rasti është ndjekur penalisht nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) dhe është pjesë e një vargu të rasteve që janë duke u hetuar nga prokurorët ndërkombëtarë dhe vendas të PSRK-së të cilët punojnë në ekipe të përziera.