|
12 dhjetor 2013
Dje, me kërkesë të një prokurori ndërkombëtar të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), një gjyqtar ndërkombëtar i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për pesë persona të dyshuar për krim të organizuar dhe kontrabandë me emigrantë.
Më 10 dhjetor 2013, pjesëtarët e Departamentit të Krimeve të Organizuara të Policisë së Kosovës dhe Njësisë për Hetimin e Krimit të Organizuar të Policisë së EULEX-it, duke vepruar nën drejtimin e një prokurori ndërkombëtar të PSRK-së dhe në bashkëpunim me Europol-in dhe me autoritetet hungareze, i kanë kryer disa operacione të përbashkëta për arrestime dhe bastisje në rajonet e Skenderajt dhe të Rahovecit. Ky ishte kulminacioni i hetimeve shtatë-mujore lidhur me kontrabandën me emigrantë nga Kosova për në Hungari, dhe pastaj më tutje në Bashkimin Evropian. Me atë rast u arrestuan pesë persona duke e përfshirë një prej organizatorëve kryesorë. Një aksion i ngjashëm ishte kryer tashmë edhe në Hungari.