Vendimi i Gjykatës së Apelit për ankesën e S.L.
20 dhjetor 2013
Dje, Gjykata e Apelit e ka miratuar kërkesën e datës 6 dhjetor 2013 të parashtruar nga avokati i S.L. për lirimin e të pandehurit në mënyrë që ai ta bëjë betimin si kryetar i sapo zgjedhur i Komunës së Skenderajt. Kërkesa është aprovuar në pajtim me Nenin 57 të ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:
- Paraqitja e S.L. përpara Kuvendit Komunal të Skenderajt është e kufizuar vetëm për aq sa është e nevojshme që ai ta bëjë betimin. Atij nuk i lejohet që të merr pjesë në betimin e personave të tjerë apo në organizime tjera qofshin ato të natyrës zyrtare ose shoqërore. Gjatë betimit të tij nuk do të lejohet prania e mediave dhe e publikut. Ai duhet të kthehet në qendrën e paraburgimit menjëherë pas bërjes së betimit.
- Të pandehurit i ndalohet që të ketë çfarëdo kontakti me personat tjerë përveç asaj që është e nevojshme që ai ta bëjë betimin. Përshëndetjet apo çfarëdo forme e kontaktit shoqëror nuk janë të lejuara. Po ashtu, atij nuk i lejohet të bëjë ndonjë deklaratë.
- Gjatë gjithë kohës së mungesës së tij nga objektet e paraburgimit, S.L. duhet të jetë nën mbikëqyrjen e afërt të së paku katër oficerëve korrektues/policëve, të cilët janë të autorizuar që të ndërmarrin çdo veprim ose vendim i cili konsiderohet i nevojshëm në bazë të pikave të mësipërme apo të ndonjë shqetësimi për sigurinë, duke e përfshirë kthimin e tij në paraburgim pa e bërë betimin.
- Policia e EULEX-it është udhëzuar që të jetë e pranishme si reaguese e tretë me qëllim që të shmanget ndonjë përkeqësim të mundshëm të situatës.