|
22 janar 2014
Prishtinë, 22 janar 2014; Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit mbajti sot në takimin e parë të këtij viti. Nikoqir i këtij takimi ishte Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Zëvendëskryeministëri dhe Ministëri i Drejtësisë, ndërsa bashkë-kryesues ishin Bernd Borchardt, Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, dhe Samuel Žbogar, Shef i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësues Special i BE-së.
Në takim u diskutuan çështje me rëndësi në fushën e sundimit të ligjit në kuadër të Kompaktit të Udhërrëfyesve, me fokus të veçantë në sfidat në fushën kundër-korrupsion, mbrojtjen e dëshmitarëve, çështje rreth transferimit të të burgosurve dhe sigurisë në qendrat korrektuese dhe të paraburgimit, me theks të veçantë në Burgun e Sigurisë së Lartë. Gjithashtu u diskutua edhe për çështjet e pronave, për Agjensionin Kosovar të Pronave dhe Panelin për Ankesa, përkatësisht për gjendjen aktuale dhe progresin e realizuar dhe për hapat që ende duhet ndërmarrë në implementimin e Udhërrëfyesit. Ndër tjera në takim u diskutua edhe për punën e Departamentit të Mjekisë Ligjore dhe për nevojën e ngritjes së mëtutjeshme të kapaciteteve të këtij institucioni.
Gjatë takimit, Zv. Kryeministri Kuçi tha se : "Rendi dhe ligji mbesin prioritet për Qeverinë e Kosovës. Ne kemi qenë dhe mbesim të përkushtuar në zbatimin e të gjithë Udhërrëfyesve që janë miratuar në kuadër të këtij Bordi. Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt konsolidimit të infrastrukturës ligjore, krijimit të strukturave funksionale dhe ngritjes së kapaciteteve të plota të institucioneve të Kosovës për kryerjen e detyrave të parapara me ligj. Qëllimi jonë është të krijojmë një sistem funksional dhe efikas të drejtësisë dhe t'u ofrojmë qytetarëve një qasje më të lehtë në drejtësi."
Žbogar shtoi se "Bashkimi Europian dhe Kosova sapo kanë përmbyllur një sesion të suksesshëm të Dialogut të Strukturuar në Bruksel javën e kaluar. Ne jemi pajtuar për disa aktivitete që kanë për qëllim të forcojnë kapacitetet e institucioneve të Kosovës për pronësi dhe përgjegjësi në fushën e Sundimit të Ligjit, dhe për format që BE mund të vazhdojë të mbështetë këto përpjekje të Kosovës."
Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, tha se: "Ky takim i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit na dha mundësinë për të vlerësuar atë që është arritur gjatë muajve të fundit lidhur me zbatimin e Kompaktit, të cilin e kemi nënshkruar në nëntor, 2012. Në veçanti kemi diskutuar sfidat në zbatimin e udhërrëfyesve të miratuar në rastet e mëparshme. Ne kemi fokusuar diskutimet tona mbi masat anti-korrupsion, ku duhet punuar më shumë. BPBSL do të shqyrtojë progresin rregullisht. Gjithashtu, ne kemi trajtuar çështjen e ndërhyrjeve politike. Ne shpresojmë që në takimin e radhës, të miratojmë një sërë masash për të luftuar ndërhyrjet politike. Unë do të doja të përdorë këtë mundësi për të kërkuar nga të gjitha institucionet e Kosovës që të dyfishojnë përpjekjet e tyre në ndjekjen e detyrave të pazgjidhura nga Kompakti dhe udhërrëfyesve që jemi pajtuar."