|
4 shkurt 2014
Më 3 shkurt 2014, Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka nxjerrë aktgjykimin lidhur me një rast të vrasjes në të cilin përfshihen tre të pandehur, A.H., A.A. dhe F.H.
Gjykata e shpalli fajtor të pandehurin A.H. për veprat 'Vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose përdorim të paautorizuar të armëve' dhe e dënoi atë me një dënim të përgjithshëm prej 16 vjet e gjysmë burgim. Gjykata, po ashtu, e shqiptoi dënimin shtesë për konfiskimin e revoles së shfrytëzuar nga A.H. për t'i kryer veprat penale.
I pandehuri i dytë, A.A., u shpall fajtor për veprën 'Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm' dhe u dënua me gjashtë muaj burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë periudhës një vjeçare të verifikimit. A.A. iu shqiptua dënimi shtesë për konfiskimin e pushkës automatike.
Gjykata e liroi të pandehurin e tretë F.H. nga të gjitha akuzat.
Përmbledhje e vendimit të gjyqit
Është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se A.H. qëllimisht e ka shfrytëzuar revolen në atë mënyrë duke e drejtuar dhe duke shtënë dy herë në drejtim të B.A., i cili ishte duke qëndruar brenda kafenesë Kroni në Mitrovicë më 3 korrik 2012, ku ishin të pranishëm përafërsisht 28 njerëz të tjerë. Me veprimet e tij, A.H. e ka privuar me dashje nga jeta B.A. duke e goditur me një plumb në gjoks, duke i shkaktuar një plagë e cila për pasojë solli vdekjen e tij. Me këtë veprim, A.H. e rrezikoi po ashtu me qëllim të mundshëm edhe jetën e secilit prej personave të pranishëm brenda në kafene. Duke e bërë këtë A.H. i kreu dy vepra penale njëkohësisht.
Po ashtu, u vërtetua përtej dyshimit të bazuar se A.A. e ka shfrytëzuar një pushkë gjysmë automatike në mënyrë kërcënuese dhe frikësuese dhe në atë mënyrë që pas një konflikti verbal me të pandehurit A.H. dhe F.H. ai shtiu në ajër nga kjo armë.