|
17 shkurt 2014
Prokurorët e ndërkombëtarë në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) i përshëndesin aktgjykimet fajësuese të shpallura për rastin e Qyshkut, me anë të cilëve është shqiptuar burgimi prej 106 viteve kundër nëntë personave nga autoritetet gjyqësore të Serbisë për vrasjen e më shumë se 120 shqiptarëve civilë të Kosovës në vitin 1999.
Gjatë procesit të hetimeve për disa vite me radhë, prokurorët e ndërkombëtarë në kuadër të PSRK-së dhe hetuesit e EULEX-it në kuadër të Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës (NJHKL), dhe të tjerë kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet përkatëse të prokurorisë së Serbisë duke mundësuar që ky rast të përmbyllet me sukses.
Prokurorët e ndërkombëtarë në PSRK dhe hetuesit ndërombëtarë nga NJHKL kanë ofruar mbështetje me gjetjen dhe intervistimin e dëshmitarëve, hetime mjekoligjore dhe të dhëna demografike, si dhe e kanë lehtësuar dhënien e dëshmive të rëndësishme nga ana e dëshmitarëve për prokurorët për krime të luftës dhe gjykatat në Serbi.
Ky rast shërben si një shembull i rëndësishëm për rezultatet të cilat mund të arrihen kur ekziston një bashkëpunim i mirë. Prokurorët ndërkombëtarë nga PSRK-ja angazhohen në sigurimin e vazhdimit të këtij bashkëpunimi me autoritetet gjyqësore përkatëse në Serbi, për të siguruar që të ketë drejtësi për të gjithë.