English Shqip / Srpski

Komunikata për media

EULEX-i dënon fuqishëm lirimin e paligjshëm të një të dyshuari të ndaluar

13 mars 2014

EULEX-i dënon fuqishëm dhunën që ndodhi dje lidhur me sulmin ndaj stacionit të policisë në Zubin Potok nga një turmë vendëse e që rezultoi me lirimin e paligjshëm të të dyshuarit të ndaluar, S.S., i kërkuar për vepra të rënda penale.

EULEX

EULEX-i tutje dënon aktin e shpërthimit të djeshëm në afërsi të stacionit të policisë dhe kërkon hetim të hollësishëm të ngjarjeve të cilat e penguan vendosjen e drejtësisë në Zubin Potok. Sundimi i turmës nuk mund të tolerohet në asnjë shoqëri. Kjo turmë duhet të izolohet, meqë paraqet kërcënim për të gjithë qytetarët që e respektojnë ligjin.

Sundimi i ligjit parashtron që kur të jetë lëshuar një fletarrest i ligjshëm, dhe kur ekziston mundësia e zbatimit të këtij vendimi ligjor, arrestimi duhet të kryhet, dhe personat e dyshuar duhet të mbahen në paraburgim derisa të jenë intervistuar nga prokurori. Pavarësisht, fajësisë ose pafajësisë, procesi i rregullt duhet të respektohet nga të gjithë personat e civilizuar dhe gjatë gjithë kohës.

Prokurorët e EULEX-it, së bashku me Policinë e EULEX-it dhe Policinë e Kosovës do të punojnë bashkërisht për të siguruar që shkaktarët e kësaj dhune të identifikohen dhe të sjellën para drejtësisë. EULEX-i i bën thirrje qytetarëve që të japin informata në lidhje me ngjarjen e djeshme.