English Shqip / Srpski

Komunikata për media

Bordi i Përbashkët Bashkërendues shpalos Raportin e Progresit 2014 për Marrëveshjen Kompakt

11 qershor 2014

Sot, Zëvendëskryeministri Kuçi, PSBE/Shefi i Zyrës së BE-së Samuel Zbogar dhe Shefi i Misionit EULEX Bernd Borchardt së bashku e shpalosën 'Raportin e Progresit 2014 për Marrëveshjen Kompakt'.

 

Shënoi një moment të rëndësishëm: Me vendimin për mandatin e ri të EULEX-it, Kosova e ka theksuar mbështetjen e saj të vendosur të vazhdueshme për misionin si edhe përkushtimin e saj për forcimin e sundimit të ligjit. Ndërsa do të ndërmerren hapa të rëndësishëm për tranzicionin e mandatit të EULEX-it, të tre bashkë-kryesuesit e Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit konfirmuan se nuk ka ndryshuar asgjë lidhur me përkushtimet e tyre të përbashkëta për marrëveshjen kompakte: ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme, të përgjegjshme, të pavarura dhe shumë-etnike të sundimit të ligjit, pa ndërhyrje politike dhe të cilat i respektojnë standardet e njohura ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane.

EULEX

Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, iu referua një numri të shembujve konkretë të përparimit, siç është themelimi i Shtabit të re të Policisë Rajonale në veri ose përparimit në Njësinë për Hetime Financiare, por po ashtu nënvizoi se duhet të bëhet edhe më shumë. Ai iu referua udhërrëfyesve të dakorduar për forcimin e sundimit të ligjit, zbatimi i të cilëve ishte penguar pjesërisht për shkak të mungesës së burimeve financiare dhe njerëzore. "EULEX-i është i gatshëm që ta mbështesë Kosovën. EULEX-i është një mjet thelbësor i BE-së për t'i ndihmuar Kosovës që ta ndërtojë sundimin e ligjit dhe të ecë në rrugën e saj drejt BE-së," nënvizoi ai. "Gjatë dy vjetëve të ardhshme përqendrimi do të jetë në 'të punuarit së bashku´. Duke u bazuar në Marrëveshjen Kompakte, partneriteti ynë do të forcohet edhe më tej."

Zëvendëskryeministri/Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se Kosova ka arritur një numër të objektivave të rëndësishme dhe që ai mendon se institucionet e Kosovës tani janë të konsoliduara dhe më të afta për t'u marrë me sfidat e sundimit të ligjit. "Si rezultat i kësaj ne po kalojmë nëpër procesin e bartjes së kompetencave nga autoritetet e EULEX-it tek institucionet e Kosovës. Kompetencat e shtuara po ashtu tregojnë për më shumë përgjegjësi të institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë me forcimin e kapaciteteve të tyre dhe të sigurojnë sistem të qëndrueshëm dhe efikas të drejtësisë. Prandaj, mekanizmi përcjellës për Marrëveshjen Kompakt shërben po ashtu si mjet për identifikimin e sfidave dhe adresimin e mëtejshëm të tyre".

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian/PSBE, Samuel Žbogar theksoi që PSBE/Zyra e BE-së është e gatshme t'i mbështesë institucionet vendase në përpjekjet e tyre për t'u marrë me çështjet e sundimit të ligjit. "Ndërsa BE-ja iu ofron institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit një ndihmë të shkallës së madhe përmes ndihmës së projekteve siç është IPA, Binjakëzimi dhe TAIEX, Raporti i Progresit i Marrëveshjes Kompakte luan një rol posaçërisht të rëndësishëm në theksimin e përparimit teknik për plotësimin e standardeve të përcaktuara në procesin e përafrimit të BE-së", tha Žbogar.

Marrëveshja Kompakte është nënshkruar më 12 nëntor 2012. Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPSL) është forumi kryesor për diskutimin e temave të përbashkëta të sundimit të ligjit dhe për mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes Kompakt. Marrëveshja Kompakt i mbështet proceset e integrimit të Kosovës në BE, në të cilat përfshihet Dialogu për Liberalizimin e Vizave, Dialogu për Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit dhe Dialogu i Strukturuar për Sundimin e Ligjit.