|
24 qershor 2014
Më 20 qershor 2014, një prokuror ndërkombëtar dhe një prokuror i shtetit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, kanë ngritur një aktakuzë kundër tre individëve të akuzuar për vepra penale duke përfshirë këtu vepra si krim të organizuar, mundësim të prostitucionit dhe një vepër tjetër në lidhje me këto.
Prokuroria pretendon se tre të pandehurit e kanë themeluar një grup kriminal të organizuar me individë të tjerë, për të mundësuar zhvillimin e prostitucionit duke rekrutuar shtetase të huaja, kryesisht të Ukrainës, me qëllim të ofrimit të shërbimeve seksuale në motelin "NATA" – që ishte një vend i njohur i prostitucionit në rajonin e Ferizajit. Sipas prokurorisë, këto vepra penale kanë ndodhur gjatë periudhës prej vitit 2005 deri më 2013.
Prokuroria dyshon se të pandehurit kanë arritur të fitojnë së paku 1.5 milion euro nga aktivitetet e tyre kriminale. Gjatë zhvillimit të hetimeve, është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e pasurisë (shtëpi, apartamente, vetura dhe të holla).