|
26 August, 2014
Sot, gjatë seancës së parë dëgjimore e cila u mbajt në Gjykatën Themelore të Mitrovicës kundër pesë të pandehurve, kryetari i trupit gjykues i njoftoi të pandehurit lidhur me të drejtat e tyre dhe e verifikoi saktësinë e të dhënave të tyre personale të cilat gjenden në aktakuzë. Tre të pandehur akuzohen për vrasje të rëndë dhe tentim vrasje të rëndë, ndërsa dy të pandehurit e tjerë akuzohen për nxitje për kryerjen e këtyre krimeve. Për më tepër, një i pandehur akuzohet për krime të luftës.
Kryetari i trupit gjykues konstatoi që avokatët mbrojtës i kanë marrë të gjitha dokumentet e përmendura në aktakuzë. Prokurori i lexoi pjesët relevante të aktakuzës dhe gjyqtari i dëgjoi deklarimet e të pandehurve. Të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm lidhur me të gjitha pikat e aktakuzës.
Po ashtu, nga të pandehurit kërkohet që në lidhje me aktakuzën të parashtrojnë kërkesa me shkrim jo më larg se deri më 26 shtator 2014. Sipas nenit 256 dhe 254, paragrafi 2, të Kodit të procedurës Penale ata janë të obliguar gjithashtu që t'ia paraqesin prokurorisë dëshmitë e tyre.
Pasi që t'i pranojë parashtresat e tyre në formë të shkruar dhe përgjigjen e prokurorit lidhur me to, kryetari i trupit gjykues do ta nxjerrë një vendim lidhur me aktakuzën.
Përveç kësaj, dy të pandehurve u janë dorëzuar vendimet për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj pasi atyre u skadon periudha e paraburgimit. Prandaj, njërit të pandehur i është vazhduar paraburgimi prej datës 26 gusht 2014 deri më 26 tetor 2014 dhe tjetrit i është vazhduar paraburgimi prej datës 4 shtator 2014 deri më 4 nëntor 2014.
Të pandehurit mund të ankohen kundër vendimeve.