16 korrik, 2010
Një panel prej tre gjykatësve të EULEX-it e ka refuzuar një kërkesë të SHBA-ve për ekstradimin e B.A. të datës 2 qershor 2010 me dyshimin se ai ka kryer veprat penale të “Ofrimit të përkrahjes materiale për terroristët” Kreu 18 i Kushtetutës së SHBA-ve, Neni 2339A dhe “Planifikimit për të vrarë, rrëmbyer, gjymtuar, ose lënduar personat ose dëmtimit të pronës në ndonjë shtet të huaj” Kreu 18 i Kushtetutës së SHBA-ve, Neni 956.
Gjykata e Qarkut në Mitrovicë e ka refuzuar këtë rast mbi disa baza. Mes tyre, ajo e ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë aktuale të Marrëveshjes për ekstradim të datës 21 tetor 1901 të nënshkruar ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Serbisë
Së dyti, edhe sikur marrëveshja të ishte e vlefshme, ajo nuk do t’i përmbushte kriteret për ekstradimin e qytetarëve të vet. Së treti, vepra penale e “Ofrimit të përkrahjes materiale për terroristët” nuk është e përfshirë në Marrëveshjen e vitit 1901 si vepër penale, prandaj gjykatësit vendosën se nuk ka bazë për ekstradimin e B.A.
Së katërti, sipas Nenit 517 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, një banor i Kosovës mund të transferohet vetëm nëse vepra për të cilën kërkohet transferimi nuk është kryer në Kosovë. Në këtë rast, B.A. pandehet se është pajtuar me H.S. që të bëjë përkthimin e videokasetave xhihadiste nga gjuha angleze në atë shqipe në Kosovë, ku paraqitet një sulmues vetëvrasës me bomba duke e sulmuar një konvoj automjetesh të SHBA-ve.
Së pesti, paneli vlerësoi se kërkesa e SHBA-ve nuk ka demonstruar në mënyrë të mjaftueshme se ekziston dyshimi i bazuar se B.A. i ka kryer veprat penale për të cilat ai akuzohet.
Shënim: Përmbledhja e vendimit në vijim:
Paneli e refuzoi kërkesën sepse parakushtet ligjore/Neni. 35 Paragrafi (4) i Kushtetutës, Nenet 533 dhe 517 Paragrafët (2) dhe (7) të KPPK/ për transferimin e B.A. nuk janë përmbushur.
1, Për të lejuar ekstradimin e një qytetari të Kosovës, neni 35 Paragrafi (4) i Kushtetutës dhe neni 533 i KPPK parashohin ekzistimin e një marrëveshje (traktati) ndërkombëtar të vlefshëm. Vlefshmëria e Marrëveshjes për ekstradim e datë 21 tetor 1901 ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është diskutabile siç edhe është sqaruar në hollësi në Vendim. Megjithatë, edhe sikur të ishte e vlefshme a) ajo nuk do ta përmbushte kriterin e ekstradimit të qytetarëve të vet dhe b) veprat penale për të cilat është kërkuar ekstradimi i B.A. nuk janë të përfshira në Marrëveshjen e vitit 1901.
2) Shkëmbimi i Notave Diplomatike ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës për ekstradimin e B.A. nuk përbën marrëveshje ndërkombëtare (nuk e arrin këtë nivel), ajo thjeshtë përmban aranzhimet për transferimin e B.A.
3) Veprat penale në fjalë kanë lidhje territoriale me Kosovën, prandaj nuk është përmbushur parakushti sipas Nenit 517 Paragrafi (2).
4) Dyshimi i bazuar se B.A. i ka kryer veprat penale nuk është demonstruar në mënyrë të mjaftueshme, prandaj nuk është përmbushur parakushti sipas Nenit 517 Paragrafi (2).