English Shqip / Srpski
 

ZPZHML-ja bëhet Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML)

23 gusht 2010

Pas miratimit të legjislacionit të ri nga Kuvendi i Kosovës, Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore (ZPZHML) tani është riemëruar Departamenti për Mjekës Ligjore (DML). DML, i cili është nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë, është riorganizuar pas një analize të thellë lidhur me nevojat për zhvillimin e mjekësisë ligjore në Kosovë.

Ndryshimi vjen si rezultat i nevojës për bashkimin dhe reformimin e të gjitha burimeve dhe praktikave të mjekësisë ligjore në Kosovë. Sa ju përket aktiviteteve lidhur me personat e zhdukur dhe ofrimit të mjekësisë ligjore mandati i DML-së mbetet i njëjtë. Megjithatë, ka edhe kompetenca të reja të cilat e përfshijnë zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve vendase të mjekësisë ligjore.

DML është krijuar në bazë të Ligjit për krijimin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore. Në bazë të këtij ligji, Departamenti i Mjekësisë Ligjore e ka mandatin e autoritetit kompetent publik përgjegjës për ofrimin e mjekësisë ligjore dhe të ekspertizës mjekësore për hetimin  e vdekjeve. Këtu bën pjesë kërkimi, gjetja e vendndodhjes, zhvarrosja, obduksioni dhe identifikimi i mbetjeve mortore që kanë të bëjnë me konfliktin e armatosur në Kosovë dhe në periudhën pas tij dhe kthimi i mbetjeve trupore tek familjet e tyre.

Përveç kësaj, DML i ndihmon sistemit të drejtësisë në mbledhjen e të dhënave vendimtare dhe të dëshmive të mundshme për rastet e vdekjeve të dyshimta jo të natyrshme dhe të pohimeve për sulme seksuale.

Si edhe në ZPZHML, EULEX-i e ka një ekip të përkushtuar të ekspertëve për mjekësi ligjore dhe persona të zhdukur të cilët janë të vendosur së bashku në DML.