English Shqip / Srpski
 

EULEX-i shënon ditën e BE-së kundër trafikimit

18 tetor 2010

Sot, kur EULEX-i po shënon për herë të katërt ditën e BE-së kundër trafikimit, shefi i Misionit, Xavier Bout de Marnhac, dha deklaratën në vijim:

“Trafikimi i qenieve njerëzore është një krim që sjell përfitime të mëdha dhe që përmban rreziqe që vogla. Trafikimi do të thotë shfrytëzimi i individëve të cenueshëm nga ana e kriminelëve që i trajtojnë personat si mallra që tregtohen për të vetmin qëllimin të përfitimeve financiare. Në mbarë botën ky krim konsiderohet si një ndër krimet më të rënda, ndër shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut, një mënyrë bashkëkohore e skllavërisë dhe një biznes jashtëzakonisht fitimprurës për krim të organizuar. Ky është një krim që pengon sundimin e ligjit dhe që ka efekte negative mbi paqen dhe sigurinë.”

Dita kundër trafikimit është themeluar në vitin 2007 nga BE-ja me qëllim të theksimit të rëndësisë së kësaj çështjeje. Ndonëse femrat dhe fëmijët përbëjnë numrin më të madh të personave të trafikuar, është duke u shtuar numri i meshkujve që trafikohen për qëllime të shfrytëzimit në punë. Kosova është një vend i origjinës, transitit dhe destinimit të viktimave të trafikimit.

“Parandalimi i trafikimit, ndjekja penale e trafikuesve dhe mbrojtja e të drejtave të viktimave janë të një rëndësie tejet të lartë. Në kuadër të mandatit të tij, EULEX-i është i përkushtuar që të trajtojë në mënyrë sistematike nevojën për luftimin e këtij lloji të krimit dhe do të sigurojë që rastet e trafikimit të hetohen dhe të ndiqen penalisht në mënyrën e duhur. EULEX-i do të vazhdojë të përkrahë autoritetet e Kosovës në përpjekjet e tyre për të zbatuar legjislacionin dhe planin nacional të veprimeve kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, tha de Marnhac.