English Shqip / Srpski
 

Përcjellja e ndryshimeve në Sundimin e Ligjit

27 tetor 2010

EULEX-i sot ishte nikoqir i punëtorisë së titulluar “Qasja Programore dhe Shoqëria Civile: të arriturat dhe sfidat,” për të diskutuar progresin dhe ngecjet në institucionet kosovare për sundimin e ligjit. Në ngjarjen e organizuar nga Zyra për Programe e EULEX-it në kuadër të përpjekjeve të saj për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie në punë, kanë marrë pjesë përfaqësues të më shumë se 35 OJQ-ve.

Mekanizmi Përcjellës, mekanizëm ky që EULEX-i e shfrytëzon në raportet e veta tre-mujore, në kuadër të mandatit themelor të tij për monitorim, mentorim dhe këshillim (MMK) për të siguruar progres në institucionet e sundimit të ligjit, është prezantuar sot para përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Raporti tremujor i EULEX-it vë në pah progresin e arritur si dhe ngecjet në përmbushjen e Veprimeve në kuadër të MMK-së. Këto veprime janë ato veprime për të cilat është arritur pajtimi me institucionet vendase me qëllim të zhvillimit të sundimit të ligjit në Kosovë.

Xavier de Marnhac, i cili mori kryesimin e EULEX-it më 15 tetor të këtij viti, theksoi: “Shumë është arritur por jam plotësisht i vetëdijshëm që akoma shumë punë priten për t’u bërë. Qëllimi im është që të bashkëpunohet ngushtë me të gjithë ata që janë të gatshëm për të ofruar këshilla dhe mbështetje për ta realizuar misionin tim, mision ky që është në të mirën e secilit në Kosovë.”

Gjatë punëtorisë janë formuar tri grupe punuese – policia, drejtësia dhe dogana – ku zyrtarët e EULEX-it dhe homologët e tyre nga institucionet vendase i diskutuan sfidat që i presin në të ardhmen.

“Prania juaj sot këtu dhe dialogu i vendosur mes nesh është një dëshmi tjetër faktike e zotimit tonë që ta mbajmë EULEX-in të hapur dhe transparent për të gjithë. Ne besojmë që transparencën duhet shoqëruar me llogaridhënien e Misionit tonë. Dhe Mekanizmi Përcjellës i MMK-së duhet të shihet si një hap përpara në këtë drejtim”, tha Alessio Zuccarini, kryesues i Zyrës së Programeve – EULEX.

Kjo është punëtoria e tretë me radhë e organizuar nga EULEX-i ku zyrtarët e misionit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile i diskutojnë bashkërisht progresin dhe ngecjet në institucionet kosovare për sundimin e ligjit.

Raporti i Mekanizmit Përcjellës dhe fotot nga kjo ngjarje mund të shkarkohen në vegzën më poshtë:

http://www.eulex-kosovo.eu/en/news/000262.php