10 nëntor 2010
Dje, më 9 nëntor, Gjykata e Qarkut në Pejë, në një panel të përbërë prej një gjykatësi kosovar dhe dy gjykatësve të EULEX-it, shpalli fajtor V.C. për krime të luftës dhe e dënoi atë me shtatë vite burgim.
V.C. është shpallur fajtor për dëbimin e një familje nga komuna e Klinës, duke i urdhëruar ata që të dilnin nga shtëpia e tyre dhe të largoheshin nga qyteti, dhe për djegien e shtëpive të dy familjeve në fund të muajit mars të vitit 1999.
Në atë kohë, V.C. ishte pjesëtar i policisë serbe.
Pasi që është ekstraduar nga Norvegjia, V.C. është arrestuar në Kosovë më 13 korrik 2010.
Ndjekja penale është përfaqësuar nga një prokuror i EULEX-it nga rajoni i Pejës, i cili ka vepruar nën autoritetin e deleguar të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Sipas ligjit, i pandehuri ka të drejtë të apelojë këtë vendim.