08 Mars 2011
Kanë kaluar tashmë njëqind vjet që nga kremtimi i parë i Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Prej asaj kohe e tutje, me miliona gra anekënd botës kanë kërkuar të drejtat e tyre politike dhe të punës, si dhe miratimin e ligjeve për mbrojtjen e tyre nga diskriminimi dhe për t’ju garantuar atyre qasje të barabartë në drejtësi. Mirëpo, barazia e plotë nuk është arritur në asnjë shtet.
Për një shoqëri të dalë nga konflikti siç është Kosova, qasja e barabartë në drejtësi dhe eliminimi i pandëshkueshmërisë për ata të cilët përdorin dhunë kundër grave, paraqesin elemente shumë të rëndësishme për themelimin e sundimit të ligjit. Vitin e kaluar, Kosova ka miratuar një ligj i cili adreson problemin e dhunës në familje dhe ka krijuar institucione për të ndihmuar dhe mbrojtur viktimat e dhunës në familje.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, e cila shënohet çdo vit më datën 8 mars, Shefi i Misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac, ka bërë këtë deklaratë:
“Në Kosovë, ligjet e përgjithshme për barazinë gjinore sigurojnë një bazë solide për promovimin e praktikave më të mira në shumë fusha të drejtësisë shoqërore, përfshirë të drejtat në pronësi dhe të drejtat në trashëgimi.”
“Unë i ftoj institucionet e Kosovës që të zbatojnë të gjitha ligjet relevante për barazinë gjinore. Personeli i EULEX-it, në kuadër të mandatit të vet është plotësisht i përgatitur për mbështetjen e këtij veprimi. Unë dua të theksoj se, EULEX-i zotohet se do të luftojë çfarëdo diskriminimi gjinor. Në këtë kuptim, mbrojtja e barabartë sipas ligjeve dhe qasja e barabartë në drejtësi duhet të garantohen për të gjitha gratë dhe burrat në Kosovë. Në këtë ditë të rëndësishme, dëshiroj të shpreh mbështetjen time të vazhdueshme ndaj grave të Kosovës.”