English Shqip / Srpski
 

Deklaratë e ushtruesit të detyrës së shefit të misionit, z. Andy Sparks, me rastin e Ditës për të Pagjeturit në Kosovë më 27 prill

26 prill, 2011

Ende janë rreth 1800 persona të pagjetur nga konflikti i Kosovës. Kjo është arsyeja pse EULEX-i i ndihmon Departamentit të Mjekësisë Ligjore (DML) të Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës në përpjekjet e tyre intensive për përcaktimin e fatit të të pagjeturve. Përveç kësaj, EULEX/DML bashkërendohet intensivisht me shoqatat e familjeve, familjet individuale dhe me disa aktorë të tjerë. Gjatë kryerjes së kësaj pune, EULEX-i po ashtu mban kontakt me autoritetet serbe.

10 vjet pasi këto ngjarje tragjike morën aq shumë jetë njerëzish, EULEX-i dhe DML-ja vazhdojnë t’i gjejnë mbetjet e tyre. Prej kohës kur EULEX-i ka filluar të punojë me Ministrinë e Drejtësisë deri më tani janë gjetur, identifikuar dhe u janë kthyer familjeve mbi 220 mbetje njerëzore. Ky është rezultat i kërkimeve intensive dhe dy sezoneve të punës në terren, duke i llogaritur mbi 260 operacione në terren. Mijëra dokumente janë shqyrtuar dhe më shumë se 1300 mostra të eshtrave janë dërguar për analizë të ADN-së.

Këtë vit kemi filluar ta bëjmë aftësimin e njësive të DML-së lidhur me zhvarrosjen dhe hetimin e rasteve të identifikuara gabimisht. Përveç kësaj, mjekët e EULEX-it vazhdojnë t’i mentorojnë dhe monitorojnë mjekët ligjorë vendas lidhur me zhvillimin e departamentit bashkëkohor të mjekësisë ligjore. E tërë kjo punë po bëhet me qëllim që të zhvillohet kapaciteti vendas në mënyrë të qëndrueshme, ashtu që MD-ja të jetë në gjendje ta vazhdojë këtë punë në të ardhmen në mënyrë shumë profesionale.

Në ndërkohë EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë Departamentin e Mjekësisë Ligjore në përpjekjet e tij për përcaktimin e fatit të atyre që ende janë të pagjetur.