09 shkurt 2021
Më 4 shkurt, Njësia Mjekësore e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e mbajti një kurs trajnues përmes internetit në temën Shpëtimi i Jetës (SHJ) për një grup prej 47 punëtorëve shëndetësorë nga Kosova, të cilët do të jenë të pëfshirë në fushatën e vaksinimit për COVID-19. Ky sesion online për SHJ është pjesë e një kursi dyditor i organizuar nga Departamenti për Imunizim i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), me mbështetjen e WHO/UNICEF.
Objektivi i këtij kursi trajnues ishte që punëtorët e Shëndetësisë Primare të pajisen me aftësi për ta bërë reanimimin në situata klinike të vërteta në nivelin në të cilin nga ata pritet që ta kryejnë këtë detyrë, qofshin ata kalimtarë rasti të pranishëm, reagues të parë në komunitet apo spital, punëtorë profesional që punon në ndonjë fushë akute, apo pjesëtarë të ekipit reagues për emergjenca mjekësore apo arrest kardiak gjatë kohës së COVID-19.
Gjatë këtij kursi, i cili u mbajt i tëri online, ligjëruan instruktorët mjekësorë të EULEX-it, të cilët janë të certifikuar nga Këshilli Evropian për Reanimacion (ERC). Kursi filloi me një demonstrim në kohë reale në vendngjarje të procedurave për SHJ dhe vazhdoi me prezantime teorike të protokoleve për SHJ të ERC-së, të cilat janë përshtatur për pandeminë COVID-19. Pjesa e fundit e kursit përfshiu një demonstrim hap pas hapi të protokolit për SHJ dhe një sesion interaktiv me pyetje e përgjigje ndërmjet pjesëmarrësve dhe instruktorëve.
Bashkëpunimi i EULEX-it me IKSHPK-në do të vazhdojë me kurse të ngjashme trajnimi me qëllimin përfundimtar të trajnimit të rreth 600 punëtorëve shëndetësorë vendas të pëfshirë në fushatën e vaksinimit për COVID-19.