16 maj 2022
Sot, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi Fushatën e tij të 12-të për dhurim të gjakut në mbështetje të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut. Gjatë kësaj dite, 48 pjesëtarë të stafit vullnetarisht dhuruan gjak në objektet e EULEX-it në Fushë Kosovë.
Dhurimi i gjakut është veprim që zgjatë vetëm pesë minuta, por ndihmon tej mase sistemin shëndetësor si dhe mund të shpëtojë jetë. Kultura e dhurimit vullnetar të gjakut në EULEX, krahas përkushtimit për ngritjen e vetëdijesimit në këtë drejtim, tashmë është bërë praktikë që ndodhë dy herë në vit në mbështetje të popullatës së Kosovës. Aktualisht rreth 30% e stafit të Misionit janë dhurues aktivë të gjakut.
Udhëheqësi i Qendrës së Transfuzionit në Gjakovë, Doktor Jeton Zenuni, i cili ishte në mbikëqyrje të aktivitetit të këtij dhurimi në emër të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut, falënderoi EULEX-in dhe stafin e tij, duke theksuar nevojën e vazhdueshme për dhurime të gjakut. “Kosova aktualisht është duke u ballafaquar me mungesë të furnizimit me gjak, me një nevojë ditore prej rreth 150-200 doza të gjakut vetëm në Prishtinë. Gjatë viteve të kaluara, pandemia ka vënë ngarkesë të rëndë mbi sistemin shëndetësor, i cili, fatkeqësisht, ka regjistruar një rënie të dhurimeve të gjakut. Kjo është arsyeja pse i jemi shumë falënderues EULEX-it për organizimin e nismës së sotme dhe me këtë rast i inkurajojmë të gjithë qytetarët të moshës 18 deri 65 vjeçare që gëzojnë shëndet të mirë të bëhen dhurues të gjakut”.