09 qershor 2022
Më 9 qershor, xhandarmëve portugezë dhe francezë të Njësisë Rezervë të Policisë së Specializuar (NJRPS) të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) iu nda medalja për shërbim në Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (PPSM/CSDP) gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar në selinë e këtij Misioni në Prishtinë. Medalja e CSDP-së të BE-së ndahet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për të gjithë gratë dhe burrat meritorë që shërbejnë në misione të ndryshme të CSDP-së.
Ceremonia për ndarjen e medaljeve të shërbimit u organizua nga Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ku morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Jankovic , Zëvendës Komandanti i Forcave Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR), Kolonel François Bortoli, Shefi i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomás ̌ Szunyog , dhe përfaqësues të Shteteve Anëtare dhe Organizatave Ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij, Wigemark theksoi se Kosova është rreshtuar me pothuajse të gjitha qëndrimet e përbashkëta të BE-së për çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, duke thënë: “Mezi pres ditën kur Kosova do të marrë pjesë në Misionet e Përbashkëta të Sigurisë dhe Politikës së Mbrojtjes. Kosova me veprimet e saj po dëshmon se ku e ka vendin e saj”. Shefi i EULEX-it gjithashtu konfirmoi zotimin e këtij Misioni për t’i mbështetur institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit dhe theksoi se EULEX-i ofron një mbulesë shtesë të sigurisë civile, duke i siguruar partnerët e saj se BE-ja është e përkushtuar për një Kosovë të qëndrueshme dhe paqësore.
Shefi i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomás ̌ Szunyog, përsëriti se si e ardhmja e Kosovës qëndron në BE. “Prania e BE-së në Kosovë ka evoluar me kalimin e viteve, ashtu siç po zhvillohet Kosova, kurse prania jonë sot me 500 persona në terren, plus përfaqësitë e shteteve anëtare, janë një investim serioz që tregon përkushtimin tonë për ta ndihmuar Kosovën si pjesë e familjes së BE-së”, tha Szunyog.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij për Njësitë Policore të EULEX-it dhe rikujtoi rëndësinë e rolit të EULEX-it si reagues i dytë i sigurisë në ofrimin e qetësisë dhe sigurisë për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe në ndihmën dhe bashkëpunimin me institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit, duke kontribuar kështu në reformën e sistemit të drejtësisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti , theksoi se sundimi i ligjit është objektivi kryesor i qeverisë aktuale, duke e theksuar rëndësinë e policisë. “Polici është shpesh herë autoriteti, me të cilin përballet qytetari, prandaj puna e mirë dhe profesionale e policisë, rritë jo vetëm autoritetin, por edhe respektin për uniformën e policit”.
Duke falënderuar të gjithë gratë dhe burrat e NJRPS-së për qëndrimin e tyre të pakompromis kundër krimit dhe për guximin në kryerjen e detyrave të tyre, Kurti theksoi se Kosova e vlerëson bashkëpunimin me partnerët e saj në ruajtjen e vlerave të përbashkëta dhe sigurisë së qytetarëve tanë pa diskriminim dhe tha: “Mbështetja juaj për policinë tonë duhet të vazhdojë duke u rritur”.
Kryeministri i Kosovës foli edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës: “Po jetojmë një kontekst krejtësisht të ri, një luftë e tmerrshme po zhvillohet në kontinentin tonë në Evropë. Mbrojtja dhe siguria, gjeopolitika dhe gjeoekonomia dhe gjeostrategjia, kanë përjetuar një tërmet me pasoja të pakthyeshme. Në momentin kur kërcënohet liria dhe të drejtat fundamentale, siç shohim çdo ditë nga raportimet mbi invazionin dhe agresionin e Federatës Ruse në Ukrainë, është koha të përkujtojmë vlerat, që bëjnë shtetet demokratike e që janë garancë e paqes dhe respektimit të të drejtave të njeriut”.
Njësia Policore e Specializuar (NJPS) e EULEX-it përbëhet nga 105 policë të dërguar nga Polonia. Objektivi kryesor i NJPS-së është që ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë. NJPS-ja e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, si pjesë përbërëse e një mekanizmi tre-nivelesh të reaguesve të sigurisë ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX është i dyti kurse NATO/KFOR është i treti.
Më 14 mars 2022, EULEX-i e përforcoi përkohësisht NJPS-në e tij me një Njësi Rezervë prej 70 xhandarmësh nga Portugalia dhe Franca e ofruar nga EUROGENDFOR. NJPS Rezervë u zbarkua në përgjigje të nevojës së EULEX-it për të pasur forca shtesë në terren dhe në mënyrë që ky Mision të jetë në gjendje t’i mbështesë më mirë homologët e tij kosovarë nëse kjo gjë kërkohet dhe është e nevojshme, duke e marrë parasysh mjedisin e sigurisë në Kosovë dhe situatën e sigurisë në rajon. Gjatë gjithë kohës së zbarkimit të tyre në Kosovë, NJPS dhe NJRPS kanë punuar krah për krah për ta përmbushur mandatin e EULEX-it.
Shikoni ceremoninë këtu: