Lajme

“Konvoji i EULEX-it për Ukrainën” në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj

12 korrik 2022

Një konvoj i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i përbërë nga 10 automjete të EULEX-it dhe dy furgona për përcjelljen e të burgosurve u nis sot nga selia e këtij Misioni në Prishtinë për t’i mbështetur qytetarët në Ukrainë të prekur nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar ushtarak i Rusisë. Këto 10 automjete do t'i dhurohen Shërbimit të Rojës Kufitare të Ukrainës përmes Misionit Këshillues të Bashkimit Evropian  në Ukrainë (EUAM). Ato janë të ngarkuara me artikuj ushqimorë dhe jo ushqimorë, duke përfshirë rroba, thasë gjumi, materiale të higjienës personale dhe furnizime mjekësore, të mbledhura dhe të paguara nga stafi ndërkombëtar dhe vendas i EULEX-it, të cilat do t'i shpërndahen popullit të Ukrainës. EULEX-i gjithashtu do të dhurojë dy automjete për përcjelljen e të burgosurve.

Nisja e konvojit u bë e ditur nga Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, në prani të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit Special të BE-së, Tomáš Szunyog, Përfaqësuesit të Lartë Kombëtar të Kontingjentit të Ukrainës në KFOR, Ivan Nastenko , dhe katër gazetareve ukrainase që po qëndrojnë në Kosovë.

“Ne shpresojmë që kjo mbështetje, së bashku me mbështetjen e të gjithë BE-së, do ta ndihmojë popullin e Ukrainës, shumë prej të cilëve janë detyruar të largohen nga vendi i tyre. Natyrisht, shumë qytetarë të Kosovës e dinë mirë nga përvoja e dorës së parë se çfarë do të thotë të bëhesh refugjat dhe të ekspozohesh ndaj agresionit”, tha Wigemark, duke shtuar se: “Solidariteti i Kosovës ndaj Ukrainës është i dukshëm në shumë mënyra, duke përfshirë “Gazetarët në Programin Rezident”. Kosova është rreshtuar me pothuajse të gjitha qëndrimet e përbashkëta të politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dhe unë mezi e pres ditën – në një të ardhme jo shumë të largët – kur Kosova do të merr pjesë në Misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Kosova me veprimet e saj po dëshmon se ku e ka vendin”.

Donika Gërvalla - Schwarz, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e shprehu solidaritetin e Kosovës ndaj Ukrainës, duke shtuar se vendi i saj pret që të gjithë në Evropë të tregojnë jo vetëm solidaritet, por edhe të sigurojnë që kjo luftë të përfundojë ashtu siç duhet, të përfundojë: me luftën e fituar nga Ukraina. “Ne e dimë që ju jeni duke luftuar për të gjithë ne evropianët, ndërsa të gjithë ne duhet të qëndrojmë shumë të fortë në anën tuaj. Më lejoni t'ju kërkoj që ta përcillni këtë mesazh në Ukrainë”, tha Gërvalla -Schwarz, duke shtuar se kosovarët e kuptojnë shumë mirë se nëpër çfarë po kalojnë ukrainasit.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomáš Szunyog, deklaroi: “Lufta në Ukrainë është sfida më e rëndë gjeopolitike dhe e sigurisë për Evropën dhe jam krenar që Bashkimi Evropian ka reaguar shumë qartë dhe shumë fuqishëm. Ai është i bashkuar në mbështetje të Ukrainës dhe është i bashkuar në sanksionimin e Rusisë dhe ofrimin e ndihmës së konsiderueshme humanitare dhe të sigurisë”. Duke theksuar se Kosova është rreshtuar qartë krahas Bashkimit Evropian dhe partnerëve tjerë perëndimorë, Szunyog shtoi: “Ky është një mesazh shumë i fortë dhe ne po e marrim këtë mesazh qartë si një demonstrim se Kosova i përket familjes së vendeve evropiane”.

Përfaqësuesi i Lartë Kombëtar i Kontingjentit të Ukrainës në KFOR, Ivan Nastenko , shprehu mirënjohjen e thellë për EULEX-in për donacionet e mbledhura: “Jam shumë krenar që jam sot këtu dhe shërbej në mesin e partnerëve dhe kolegëve ndërkombëtarë, të cilët janë të gatshëm ta ndajnë barrën në çdo kohë. Kjo dërgon një sinjal të madh për të gjithë botën se ukrainasit nuk janë të vetëm në këtë luftë. Më besoni, për ushtarët, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kjo është një ndjenjë inkurajimi.”

Shefi i EUAM Ukraine, Antti Hartikainen, përgëzoi për donacionin dhe theksoi: “Në përgjigje ndaj agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, EUAM i ka mbështetur partnerët e saj përmes dhurimit të materialeve dhe pajisjeve si kuti të ndihmës së parë, pajisje mbrojtëse personale dhe automjete. Dhurimi i këtyre automjeteve nga Misioni ynë simotër EULEX Kosovo është një shembull i prekshëm i asaj se si mbrojtja heroike e popullit ukrainas e ka frymëzuar të gjithë komunitetin e BE-së për ta ndihmuar dhe mbështetur Ukrainën. EUAM ka kënaqësinë që t'ia kalojë këto automjete Shërbimit të Rojës Kufitare të Ukrainës, një nga partnerët kryesorë të këtij Misioni. Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për EULEX-in në Kosovë dhe stafin e tij për këtë iniciativë bujare e cila e tregon vlerën e shtuar të cilën e krijon bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet misioneve tona civile”.

Dhurimi i automjeteve është pjesë e mbështetjes më të gjerë të EULEX-it për EUAM-in dhe punën e tij në Ukrainë. Që nga fillimi i luftës dhe agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, EULEX-i i ka dhuruar EUAM-it në  Ukrainë 35 jelekë anti-plumb, 35 helmeta dhe pajisje shtesë. Misioni ka ndarë gjithashtu ekspertizën e tij në hetimin e krimeve të luftës me kolegët në EUAM Ukrainë, të cilët i mbështesin autoritetet ukrainase në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës të kryera gjatë agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Muajin e kaluar, EULEX-i dorëzoi donacione të materialeve ndryshme dhe kontribute në para të mbledhura nga stafi i EULEX-it për 23 familje të zhvendosura brenda vendit përmes EUAM Ukrainë.

Pamjet nga droni janë në dispozicion këtu:

 

Një video e këtij aktiviteti është në dispozicion këtu: