31 gusht 2022
Më 31 gusht, 71 pjesëtarëve polakë të Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ju ndanë medalje për shërbim në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të Bashkimit Evropian gjatë një ceremonie zyrtare të organizuar nga Zëvendës Shefi i EULEX-it, Cezary Luba, e cila u mbajt në bazën e NJPS-së në Mitrovicë në prani të Zëvendës Komandantit të Përgjithshëm të Policisë së Polonisë, Gjeneralmajor Paweł Dobrodziej, Komandantit të KFOR-it, Gjeneralmajor Ferenc Kajári, Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra dhe mysafirëve të tjerë.
Medalja e CSDP të BE ndahet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për të gjitha gratë dhe burrat që shërbejnë në misione të ndryshme të CSDP-së.
Në fjalën hyrëse të tij, Luba, theksoi se Policia e Polonisë ka më shumë se 12 vite në Kosovë dhe shtoi: “Uniforma jonë është bërë e njohur për qytetarët e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë si simbol i besimit, profesionalizmit dhe mbështetjes”.
Duke i falënderuar zyrtarët policorë për shërbimin e tyre, Dobrodziej, e përshëndeti përkushtimin e Policisë polake për t’i mbështetur institucionet e Kosovës në garantimin e sigurisë për të gjitha komunitetet, duke thënë: “Të shërbesh në Kosovë është nder, privilegj dhe dallim, prandaj jam krenar të them që detyrat që ju janë besuar ju po i kryeni sipas standardeve më të larta me një qëndrim profesional dhe miqësi të jashtëzakonshme”.
Komandanti i NJPS-së, Nënkoloneli Krzysztof Sowiński, rikujtoi rëndësinë e rolit të luajtur nga NJPS-ja e EULEX-it si reagues i dytë i sigurisë, duke qenë pjesë e një mekanizmi tre-shtresor të reaguesve së sigurisë ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i është i treti.
Njësia Policore e Specializuar (NJPS) e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) përbëhet nga 105 policë të dërguar nga Polonia, me qëllim që ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojnë në sigurinë e të gjitha komuniteteve.