17 nëntor 2022
Më 17 nëntor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) e prezantuan në Kino Armata në Prishtinë, filmin e metrazhit të shkurtër “Ndryshimi”: një përkujtesë e fuqishme për rëndësinë e procesit të rehabilitimit dhe ri-integrimit të miturve në konflikt me ligjin.
I prodhuar nga EULEX-i në bashkëpunim me SHKK-në, “Ndryshimi” është frymëzuar nga përvoja e vërtetë e një ish-të mituri në konflikt me ligjin, i cili u rehabilitua dhe u ri-integrua me sukses në shoqëri falë mbështetjes profesionale të dhënë nga stafi i kualifikuar i SHKK-së në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan.
Duke e hapur këtë aktivitet, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i falënderoi të gjithë homologët të cilët e mbështesin punën e institucioneve në fushën e drejtësisë për të mitur dhe e ri-konfirmoi nevojën për vazhdimin e investimeve në programet rehabilituese dhe ri-integruese për të miturit.
”Edukimi i mirëfilltë që nga mosha e hershme, aktivitetet kulturore, integrimi dhe socializmi me të tjerët, mirëqenia ekonomike dhe barazia me fëmijët e tjerë, janë kushte të domosdoshme për çdo njeri, në mënyrë që fëmijët të kenë rritje dhe zhvillim të mirëfilltë në çdo drejtim”, deklaroi Ministrja, duke shtuar se si: “Gabimet e të miturve të cilat i kanë sjellë ata në qendrat e korrektimit, janë të përmirësueshme dhe na duhet përkushtim serioz dhe i përshtatshëm për t'i kthyer ata të integruar sërish në shoqëri, duke mos ua zbehur ëndrrat dhe ambiciet e tyre për jetën, profesionin dhe për kontributin që do të japin edhe për shoqërinë e vendin e tyre”.
Shefi i Misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, e rikujtoi obligimin e përbashkët për ta luftuar stigmën sociale që lidhet me kalimin e kohës në një institucion korrektues, me të cilën duhet të përballen shpeshherë të miturit që tentojnë të ri-integrohen në shoqëri.
Wigemark shpjegoi gjithashtu se si nevoja për të pasur një sistem të veçantë drejtësie për të miturit bazohet në faktin e njohur botërisht se fëmijët dallojnë nga të rriturit në zhvillimin e tyre fizik dhe psikologjik dhe këto dallime i bëjnë ata më pak fajtorë kur bien në konflikt me ligjin.
“Siç e dimë të gjithë, të miturit që kryejnë vepra penale, në të shumtën e rasteve janë vet viktima të mjedisit ku jetojnë. Sjelljet e tyre shpesh janë pasojë e vështirësive që ata i hasin dhe që nuk mund t’i përballojnë. Për këtë arsye, të miturve u nevojitet vëmendje dhe mbrojtje e veçantë dhe, ndoshta më e rëndësishmja, mbështetje e kualifikuar, e përkushtuar dhe e kujdesshme gjatë gjithë rrugëtimit të tyre rehabilitues", tha Wigemark.
Një veçori specifike e sistemit të drejtësisë për të mitur, në bazë të Kodit të Drejtësisë për të Mitur në Kosovë, janë të ashtuquajturat 'masa të diversitetit, të cilat, kur aplikohen si duhet, mund të parandalojnë, kurdo që është e mundur, fillimin e procedurave gjyqësore kundër një kryerësi të mitur.
Shefi i EULEX-it theksoi se Misioni gjatë vitit të kaluar e ka vlerësuar aplikimin e këtyre masave: “Të dhënat që janë marrë nga Prokuroritë Themelore dhe nga Shërbimi Sprovues i Kosovës, përkitazi me aplikimin e këtyre “masave të diversitetit”, nuk janë shumë inkurajuese: ato në fakt tregojnë se mes viteve 2019 dhe 2021 ka pasur rënie të numrit të masave të diversitetit që janë aplikuar", tha Wigemark.
Zyrtarja e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Magbule Rexhepi, shpjegoi se si u formësua ideja për këtë film, duke shtuar se projekti i realizuar me Grupin “SHPREHU SHLIRË”, fitues i projektit “PODIUM” të UNICEF-it, kishte për qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për pasojat e shkaktuara nga përdorimi i lëndëve narkotike dhe për të hedhur dritë mbi procesin e rehabilitimit të miturve.
“Shpresoj që ky film të kontribuojë në parandalimin e përfshirjes së të rinjve në përdorimin e substancave narkotike”, theksoi Rexhepi, duke shtuar se: “Burgu nuk është vendi ideal për të ndryshuar njerëzit, por nëse ndodhë kjo atëherë duhet të bëhet ri-integrimi i të miturve”.
Pas shfaqjes së filmit, Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, Sami Gashi, Drejtori i Qendrës Korrektuese për të Mitur në Lipjan, Ali Gashi, Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski dhe Zyrtari i UNICEF-it për Mbrojtjen e Fëmijëve, Afrim Ibrahimi, diskutuan për statusin aktual dhe sfidat kryesore të sistemit të drejtësisë për të mitur në Kosovë.
Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, Sami Gashi, theksoi se kujdesi i duhur për të rinjtë që kanë rënë në konflikt me ligjin është një nga përgjegjësitë më të ndjeshme dhe më të rëndësishme që i janë besuar Shërbimit Korrektues.
“Të rinjtë janë shtylla e së ardhmes së një shteti, prandaj edhe arritjet e shoqërisë, në të ardhmen, janë në duart e tyre. Prandaj, është përgjegjësi e jona të kujdesemi për ta në çdo fazë të jetës së tyre, pasi e ardhmja e shoqërisë përcaktohet nga mirëqenia e tyre”, tha Gashi.
Drejtori i Qendrës Korrektuese për të Mitur në Lipjan, Ali Gashi, ka rikujtuar punën e rëndësishme që e ka bërë stafi i SHKK-së për t'i mbajtur të miturit të sigurt dhe në të njëjtën kohë duke mundësuar procesin e rehabilitimit dhe ri-integrimit të tyre.
Gashi, në veçanti, e theksoi rolin thelbësor që e luan edukimi si në parandalimin e sjelljeve kriminale ashtu edhe në mbështetjen e ri-integrimit të miturve: “Kemi një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacioneve, dhe Gjykatën Komunale, ku së bashku me ta zhvillojmë shkollimin fillor edhe të mesëm, ku në bazë të legjislacionit kemi detyra dhe përgjegjësi të ndara për secilin institucion veç e veç. Në Shërbimin Korrektues të Kosovës kemi dy shkolla amë ku zhvillohet procesi mësimor”, tha Drejtori i Qendrës Korrektuese për të Mitur, duke shtuar se: “Ne do të mundohemi së bashku edhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë për të gjithë ata të mitur të cilët janë me privilegje t’ju mundësojmë edhe shkollimin në shkolla publike e që ne mendojmë se me përfshirjen e tyre në shkolla publike rehabilitimi dhe ri-socializimi i tyre mund të arrihet me 100%”.
Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, e theksoi mbështetjen e vazhdueshme që EULEX-i i jep stafit të SHKK-së, duke përfshirë Qendrën Korrektuese për të Mitur dhe Qendrën Korrektuese Edukative në Lipjan, me fokus në adresimin e shkaqeve të perceptuara të delikuencës bazuar në vlerësimin individual të rrezikut dhe nevojave.
Vahakoski gjithashtu theksoi nevojën për të investuar në programe arsimore, të cilat kryerësve të rinj u ofrojnë ndjenjën e shpresës dhe aftësimin profesional: “Përpjekjet për ta promovuar largimin nga krimi nuk janë përgjegjësi vetëm e një instituti. Është i nevojshëm bashkëpunimi i vazhdueshëm midis sistemit të drejtësisë penale dhe burimeve të komunitetit, duke përfshirë policinë, prokurorinë, shërbimet korrektuese, shërbimin sprovues dhe organizimin e komunitetit”.
Zyrtari i UNICEF-it për Mbrojtjen e Fëmijëve, Afrim Ibrahimi, e prezantoi punën e UNICEF-it në fushën e drejtësisë për të mitur: “Në Lipjan, në Qendrën Edukuese Korrektuese, ne kemi themeluar edhe punëtoritë e ndryshme me mbështetjen e përbashkët të UNICEF-it dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian”, duke shpjeguar se si kjo bëhet “për fuqizimin e aftësive të tyre jetësore, mirëpo edhe të zanatit dhe aftësive të tyre profesionale, për t’u rehabilituar dhe për të parandaluar procesin e recidivizmit që ndodh shpesh herë tek të miturit që janë në konflikt me ligjin”.
Që nga krijimi i saj në vitin 2008, Njësia Korrektuese e EULEX-it ka qenë partner i palëkundur i SHKK-së.
Sot, NJK-ja e EULEX-it i mbështet përpjekjet e SHKK-së për të zhvilluar një ekip profesional të drejtuesve të lartë dhe për të ofruar rehabilitimin e të burgosurve në një mjedis të sigurt përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit. Kjo është arritur falë pranisë së rregullt dhe mobile të ekspertëve korrektues të EULEX-it në të gjitha 11 institucionet korrektuese në Kosovë dhe përmes takimeve të shumta me stafin e SHKK-së. Që nga viti 2021, EULEX-i është duke e mbështetur edhe Shërbimin Sprovues të Kosovës (SHSK)
Shikoni filmin e plotë: https://www.eulex-kosovo.eu/?page=1,11,2682
Shikoni diskutimin e plotë: https://www.facebook.com/EULEX.KOSOVO/videos/859814282133973
Fjalimi i plotë i Shefit të Misionit EULEX Kosova
E nderuara Ministre e Drejtësisë,
I nderuari ushtrues i detyrës së Zëvendësdrejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës,
Të nderuar Ambasadorë,
Të nderuar kolegë, zonja dhe zotëri,
Ju faleminderit për ardhjen tuaj sot.
Sot është ditë e veçantë për ne në EULEX, si dhe për kolegët tanë në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ngase sot bëhet shfaqja për herë të parë e filmit të metrazhit të shkurt “Ndryshimi”. Kjo është hera e parë që ky film shfaqet para publikut.
Filmi është prodhuar me bashkëpunimin mes EULEX-it dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës, një nga homologët tanë kryesor këtu në Kosovë, dhe ka ardhur si inspirim nga përvoja e vërtetë e një ish-të mituri që ka qenë në konflikt me ligjin, dhe i cili me sukses arriti të rehabilitohet dhe riintegrohet në shoqërinë e Kosovës.
Filmi “Ndryshimi” zgjatë vetëm 11 minuta, por besoj se porosia e fuqishme që ai përçon nuk do të ju lë indiferent.
Siç e dimë të gjithë, të miturit që kryejnë vepra penale, në të shumtën e rasteve janë vet viktima të mjedisit ku jetojnë. Sjelljet e tyre shpesh janë pasojë e vështirësive që ata i hasin dhe nuk mund t’i përballojnë. Kjo nuk është e vërtetë vetëm në Kosovë, por është e vërtetë në të gjitha shoqëritë tona.
Për këtë arsye, të miturit kanë nevojë për vëmendje dhe mbrojtje të veçantë, dhe, ndoshta si më e rëndësishmja, mbështetje e kualifikuar, e përkushtuar dhe me kujdes përgjatë rrugëtimit të rehabilitimit të tyre.
Ne po flasim për persona që ende përkufizohen si fëmijë, ligjërisht.
Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, e cila është pjesë e kornizës ligjore të Kosovës, e njeh të nevojshëm sistemin e veçantë të drejtësisë për të miturit. Ata nuk mund të trajtohen si kryerësit e rritur të veprave.
Kjo është e bazuar në një fakt të njohur nga të gjithë se fëmijët dallojnë nga të rriturit për nga zhvillimi fizik dhe psikologjik, dhe këto dallime i bëjnë ata më pak fajtorë në rastet kur ata bien ndesh me ligjin.
Nëse synimi final i çdo dënimi është rehabilitimi me sukses i kryerësit të veprës, ky bëhet edhe më i rëndësishëm kur kemi të bëjmë me të mitur: sepse ata e kanë tërë jetën përpara.
Burgjet nuk janë vend për të miturit dhe sistemi i drejtësisë për të miturit duhet të ketë për qëllim mirëqenien e të gjithë fëmijëve, duke u përqendruar tek siguria dhe, prapë, riintegrimi i tyre në shoqërinë që i përkasin.
Ndodhë shpesh që, të miturit që bëjnë përpjekje të riintegrohen në shoqëri kanë vështirësi për punësim apo edhe për pranim nëpër institucione arsimore për shkak të stigmës që ndërlidhet me kohën e kaluar nëpër institucione korrektuese.
Kjo ndodhë edhe në rastet kur ata arrijnë të përfundojnë procesin e rehabilitimit, dhe kanë përvetësuar aftësi specifike për ndonjë vend pune, apo edhe arritur përparime në studime akademike.
Prapë, ky nuk është fenomen vetëm i Kosovës, është simptomë e të besuarit se nëse ndonjë person ka kryer vepër penale, ai ose ajo nuk mund të rehabilitohet.
Një pjesë e madhe e punës së Njësisë Korrektuese të EULEX-it, së bashku me Shërbimin Korrektues të Kosovës, është e fokusuar në mbështetjen e stafit të përkushtuar të Sistemit Korrektues të Kosovës për kundërshtimin e këtij supozimi dhe për të dëshmuar se supozimi që, nëse ke kryer krim ti gjithherë do të konsiderohesh kriminel, është i gabuar.
Luftimi i kësaj stigme është përgjegjësi e tërë shoqërisë: në veçanti, e sistemit arsimor, por edhe e sektorit privat, shoqërisë civile si dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat i përfaqësoj, të cilat po ashtu kanë rol në këtë drejtim.
Filmi i metrazhit të shkurtë që do ta shohim sot dhe tregimi frymëzues që ai paraqet, me shpresë do të kontribuojë në luftimin e stigmës së krimeve nga të miturit dhe do të dëshmojë se me mbështetjen e duhur, të miturit mund të ndryshojnë jetën e tyre dhe ia dalin të bëjnë atë ndryshim.
Para se të përfundoj, më lejoni të shfrytëzoj këtë rast për t’i thënë pak fjalë rreth disa gjetjeve që do të përfshihen në Raportin tonë të radhës për monitorimin e drejtësisë në lidhje me trajtimin e të miturve në përgjithësi.
Gjatë vitit të kaluar, ne kemi bërë një vlerësim të aplikimit të ‘masës së diversitetit’, që parashihet me Kodin e Drejtësisë për të Mitur, i cili është ligj shumë i mirë.
Me aplikimin e duhur të tyre, këto masa mund të parandalojnë, kurdo që është e mundur, nisjen e procedurave gjyqësore kundër kryerësve të mitur, duke ndihmuar kështu në rehabilitimin dhe riintegrimin e tij apo saj në komunitet, e që përfundimisht rezulton me parandalimin e sjelljeve recidiviste, pra përsëritjen e krimeve.
Megjithatë, të dhënat që janë marrë nga Prokuroritë Themelore dhe nga Shërbimi Sprovues i Kosovës në lidhje me përdorimin e ‘masës së diversitetit’ nuk janë shumë inkurajuese. Ato të dhëna tregojnë se mes viteve 2019 dhe 2021 ka patur rënie të numrit të masave të diversitetit që janë aplikuar.
Në veçanti, monitorimi ynë ka theksuar përdorimin shumë të kufizuar të një mase shumë të rëndësishme të diversitetit, që është ‘vërejtja policore’. Gjatë këtyre ditëve të gjithë dëgjojmë për vërejtjet policore, andaj të gjithë e dimë domethënien.
Kjo masë është në fuqi që nga viti 2018 dhe ka për qëllim trajtimin e rasteve penale të imta kur policia dhe prokuroria vendosin që hetimet e mëtejme nuk nevojiten dhe se vërejtja do të mjaftonte që i mituri të kuptojë peshën e veprimit penal, të pendohet dhe të përmbahet nga sjelljet e ngjashme në të ardhmen.
Andaj, ne, si Mision, iu bëjmë thirrje prokurorëve dhe policisë që të shfrytëzojnë në maksimum ‘masat e diversitetit’, ashtu siç parashihen me ligjin e Kosovës, përfshirë ‘vërejtjen policore’, meqë aplikimi i duhur i masave të diversitetit luan rol thelbësor në mbrojtjen e të miturve prej përballjes me stigmën sociale të burgosjes, dhe ndoshta për një jetë më të mirë në të ardhmen.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.