23 nëntor 2022
Më 23 nëntor, TV Klan Kosova e transmetoi një reportazh për pjesën veriore të Kosovës duke paraqitur një intervistë me Komandantin e Njësisë Policore të Specializuar të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Michal Tomasz Kocot.
Duke e komentuar praninë dhe rolin e EULEX-it në kuadër të zhvillimeve të fundit të sigurisë, Kocot deklaroi: “Aktualisht ne e kemi rritur praninë tonë në pjesën veriore për shkak të situatës aktuale dhe dorëheqjes së policëve serbë. Ne, natyrisht, nuk mund të marrim përsipër përgjegjësitë e policëve të Policisë së Kosovës, ne vetëm mund t'u ndihmojmë atyre që të ruajnë paqen dhe sigurinë në rajon”.
Në këtë reportazh u pasqyruan edhe patrullimet vëzhguese në këmbë të kryera nga pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë.
Intervista e plotë: https://www.youtube.com/watch?v=YscoXJlvzR8