English Shqip / Srpski
LAJME

EULEX-i nis fushatën në veri

EULEX-i e ka filluar një fushatë sensibilizuese lidhur me një pjesë të punës në rajonin verior të Kosovës. Fushata është pjesë e një vargu fushatash për rritjen e sensibilizimit rreth punës dhe mandatit të EULEX-it në Kosovë. Në vjeshtë, EULEX-i pati organizuar një fushatë rreth punës së EULEX-it për mbështetjen e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit (për më shumë informata, shtypni këtu). Nga dhjetori 2012 deri në janar 2013, një fushatë tjetër është përqendruar në punën ekzekutive të EULEX-it (për më shumë informata, shtypni këtu). Kjo fushatë tregon për punën e EULEX-it për rikthimin gradual të sundimit të ligjit në veriun e Kosovës.


Në mars të vitit 2013, pesë spote të ndryshme televizive do të transmetohen nëpër rrjetet e ndryshme dhe stacionet lokale televizive në veri. Katër spote televizive janë me pyetje nga qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe me përgjigje nga personeli i lartë i EULEX-it (shtypni këtu për ta shikuar). Spoti i pestë televiziv është për punën e Task Forcës Mitrovicë, një grup i hetuesve dhe prokurorëve të EULEX-it që merret në mënyrë specifike me krimet e kryera në rajonin e gjerë të Mitrovicës. Ky spot i inkurajon qytetarët që të paraqesin çdo lloj informate që do të mund të përdoret për të hetuar krime të rënda (shtypni këtu për ta shikuar). Si pjesë e kësaj fushate, janë planifikuar të mbahen disa aktivitete informuese me hetuesit dhe prokurorët nga Task Forca për Mitrovicën në rajonin verior. Gjatë këtyre organizimeve do të shpërndahen rreth 4000 fletushka. Më 4 dhe 15 shkurt, dy shkolla janë vizituar në Vushtrri dhe Priluzhë. Janë planifikuar edhe aktivitete të tjera informuese lidhur me të drejtat e njeriut dhe qendrën e paraburgimit në veri. Më 20 mars EULEX-i dhe Qendra Informuese dhe Kulturore e BE-së në Mitrovicë do të nisë një seri mujore të ligjëratave universitare të BE-së lidhur me Task Forcën për Mitrovicën (për të lexuar më shumë rreth veprimeve të këtij lloji të mbajtura në Prishtinë shtypni këtu).

Rajoni i Mitrovicës apo rajoni verior i mbulon gjashtë komuna në pjesën veriore të Kosovës që përfshinë atë që njihet si 'veriu'. Fjala 'veriu', të cilën e dëgjoni nëpër kafenetë e Kosovës, në diskurset politike dhe qarqet ndërkombëtare, ka ndryshuar nga juridiksionet gjeografike e ligjore dhe po përkufizohet nga rajoni dhe dinamika matanë(në anën veriore të) lumit Ibër. Njësitë dhe departamentet e EULEX-it përqendrohen në gjashtë komunat që e përbëjnë veriun.