Fillimi  BreadCrumbTrailer Zyra për Komunikim dhe Media  BreadCrumbTrailerLajme  BreadCrumbTrailerFushata e EULEX-it “16 Ditë të aktivizmit...

Fushata e EULEX-it “16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore” për vitin 2020

12 dhjetor 2020

Në vitin 2020 bota funksionoi në një mënyrë krejt ndryshe për shkak të pandemisë së koronavirusit. Për ta frenuar përhapjen e virusit, e gjithë bota zbatoi masa bllokimi, të cilat në mbarë botën sollën raporte që tregonin për një rritje të raportimit të dhunës në familje dhe rasteve të dhunës në baza gjinore. Për ta përforcuar thirrjen për veprim global për t'i dhënë fund pandemisë së dhunës, tema globale për shënimin e “16 Ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore” ishte: "Ngjyrose botën në portokalli: Financo, Përgjigju, Parandalo, Mblidh!" 

 EULEX-i iu bashkua fushatës “16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore” duke organizuar aktivitete të ndryshme të cilat e pasqyrojnë punën e Misionit tonë për t’i trajtuar këtë çështje serioze dhe të ndjeshme. Fushata filloi më 25 nëntor, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, kur ne e ndriçuam selinë e Misionit në portokalli si dhe i bëmë portokalli kanalet tona të mediave sociale duke u bërë thirrje të gjitha viktimave të dhunës në baza gjinore që t’i raportonin rastet e tyre në polici.  

 Për t'i bërë jehonë mesazhit që të gjithë duhet të punojmë së bashku për të parandaluar dhe për t'i dhënë fund të gjitha formave të dhunës ndaj vajzave dhe grave, Shefat e Misioneve të BE-së dhe të Shteteve Anëtare në Kosovë në mënyrë simbolike kanë bartur maska dhe bluza ngjyrë portokalli, si dhe e kanë theksuar rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës në baza gjinore në polici.   

Meqenëse Policia e Kosovës është reaguesi i parë në rastet e dhunës në baza gjinore, ne e treguam historinë e Rreshteres Xhemile Behluli mbi angazhimin e saj për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje.

Përveç kësaj, ne i theksuam gjetjet dhe rekomandimet e Misionit tonë për mënyrën se si policia, prokuroria dhe gjykatat mund ta përmirësojnë trajtimin e rasteve të dhunës në baza gjinore. 

Për t’i shënuar 16 Ditët e aktivizmit dhe 20 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Misioni organizoi gjithashtu pesë "Bashkëbisedime për Fuqizimin e Grave" në internet me temat e mëposhtme: Gratë në institucionet e sigurisë, Roli dhe qëndrueshmëria e ofruesve të shërbimeve për viktimat e dhunës në baza gjinore, Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës ndaj grave, Fuqizimi ekonomik për ta adresuar dhunën në baza gjinore dhe Shëndeti mendor i viktimave të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve dëshmitarë të dhunës


E fundit, por jo më pak nga rëndësia, Misioni ynë e mbështeti fushatën e Ministrisë së Drejtësisë të titulluar "Dhuna në familje nuk është çështje private!" duke prodhuar një video spot, një spot për radio dhe pano, të cilat u vendosën në 37 lokacione në të gjithë Kosovën.

16 Ditët e aktivizmit kanë mbaruar, por angazhimi ynë për ta rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës në baza gjinore në Policinë e Kosovës vazhdon. Raportojeni për ta ndalur atë! Telefononi në 192 ose 080019999. 

 

Prapa

Zyra për Komunikim dhe Media