Fillimi  BreadCrumbTrailerZyra për Informim  BreadCrumbTrailerLajme  BreadCrumbTrailerEULEX-i dhe Policia e Kosovës në vizitë...

EULEX-i dhe Policia e Kosovës në vizitë studimore në Vjenë

05 prill

Prej 26 deri 29 mars, Njësia e EULEX-it për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar (NJBPN) e ka mundësuar një trajnim ku morën pjesë kolegët nga Policia e Kosovës, në Shërbimin e Inteligjencës Kriminale në Austri, si pjesë e një programi lidhur me Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar.

Ky trajnim është pjesë e kornizës së një programi të quajtur “Sensibilizimi për Parimet e Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar – Vizitë studimore në Pikën e Vetme të Kontaktit me Interpol-Europol-Sirene në Vjenë, Austri”.

Drejtuesi i Njësisë së EULEX-it për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar, Vincenzo Cardinale, e udhëhoqi këtë vizitë duke i sjellë kolegët e tij nga Policia e Kosovës, duke përfshirë Besnik Sallahun, Shef i Sektorit për Interpol, Fatmir Ahmeti, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Sundimin e Ligjit (ILECU) e Policisë së Kosovës, Agron Nezaj, Shef i Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Fatmir Karaliti, Shef i Sektorit për Hetime Financiare.

“Kjo vizitë studimore ishte shumë e frytshme dhe e dobishme për zhvillimin e mëtejmë të Policisë së Kosovës dhe nga ajo pjesëmarrësit kanë përfituar njohuri të dobishme për trajnimet e ardhshme të Policisë së Kosovës”, tha Nënkolonel Nezaj.

Qëllimi i këtij projekti ishte familjarizimi i pjesëmarrësve me praktikat më të mira evropiane në fushat e trajtimit dhe shkëmbimit të informatave, interoperabilitetin e bazave të dhënave dhe praktikave të menaxhimit të rasteve që shfrytëzohen nga institucionet evropiane për sundimin e ligjit. Objektivi kryesor ishte fuqizimi i kapaciteteve ekzekutive të ILECU-t dhe përmirësimi i punës operative, veçanërisht nga këndvështrimi i mbrojtjes së të dhënave dhe sigurisë së të dhënave.

“Ditëve të sotme krimi i organizuar trans-nacional është një fenomen dinamik dhe kompleks në rritje i cili kërkon përgjigje të përbashkët nga të gjithë ligj-zbatuesit e BE-së dhe vendeve të treta. Grupet kriminale nuk njohin kufij edhe më të sofistikuar në mënyrat e tyre të veprimit, ashtu që agjencitë për zbatimin e ligjit duhet të jenë në gjendje që t’i hetojnë dhe parandalojnë aktivitetet e tyre. Zbatimi i praktikave më të mira në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar do të sjellë përfitime të jashtëzakonshme dhe të ndërsjella për ngushtimin e hapësirës në të cilën mund të veprojnë kriminelët ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, sqaroi z. Cardinale.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës i kaluan dy ditë në Pikën e Vetme Austriake të Kontaktit (SPOC) për të vëzhguar dhe më vonë për të raportuar për parimet e përgjithshme të aplikuara për transferimin e të dhënave, si dhe për mundësitë e reja teknologjike. Ata, gjithashtu u trajnuan dhe u këshilluan nga ekspertët kombëtarë në Interpol dhe Europol lidhur me sfidat më të shpeshta përkitazi me bashkëpunimin policor ndërkombëtar dhe për mënyrën e trajtimit efikas të tyre.

“Në epokën e kompjuterikës virtuale (cloud computing) dhe krimeve kibernetike, agjencitë për zbatimin e ligjit duhet të jenë në gjendje që t’i shpartallojnë grupet kriminale invovative dhe fleksibile në kohë reale, prandaj sot bashkëpunimi policor ndërkombëtar është jetik, shumë i rëndësishëm dhe fondamental,” shtoi z. Cardinale.

Gjatë këtij trajnimi, z. Cardinale gjithashtu e mbajti një prezantim për përgjegjësitë dhe detyrat e IPCU të EULEX-it në kuadër të mandatit të ri.

Shërbimi i Inteligjencës Kriminale në Austri vepron si Pikë e Vetme e Kontaktit (SPOC) për Interpol, Europol dhe Zyrën e SIRENE-s në Vjenë.
 

Prapa

Zyra për Informim