Fillimi  BreadCrumbTrailerZyra për Informim  BreadCrumbTrailerLajme  BreadCrumbTrailerEULEX-i organizoi vizitë studimore në...

EULEX-i organizoi vizitë studimore në institucionet korrektuese të Suedisë

15 maj

Nga data 7 deri më 9 maj, EULEX-i, në bashkëpunim me Shërbimin e Burgjeve dhe të Sprovimit në Suedi, organizoi një vizitë të pjesëtareve femra të stafit korrektues të Kosovës në disa institucione korrektuese të Suedisë.

Gjatë vizitës, pjesëmarrëset nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), të cilat përfaqësuan institucione të ndryshme të Kosovës, i vizituan tri lokacione, përfshirë burgun Hinseberg, burg i sigurisë së mesme për femra, burgun Faringso, burg i sigurisë minimale për femra, dhe burgun – paraburgun e sigurisë maksimale për meshkuj, Huddinge. Pjesëmarrëset morën pjesë edhe nëpër takime të shumta me përfaqësues të Shërbimit të Suedisë për Burgje dhe Sprovim në Stokholm.

Gjatë vizitës studimore, stafi korrektues pati mundësinë të shkëmbejë praktikat më të mira evropiane në aspektin e përfshirjes gjinore dhe zhvillimit të karrierës së femrave në shërbimin korrektues. Stafi po ashtu pati mundësinë të mësojë më shumë për rëndësinë e politikave gjinore, për mënyrën e trajnimit dhe motivimit të kolegeve dhe për rëndësinë e ekzistimit të një kodi të etikës në çdo lloj trajnimi. Pjesëmarrëset po ashtu mësuan për programet dhe aktivitetet rehabilituese përmes vizitave nëpër punëtori të ndryshme dhe njësi të prodhimit dhe duke i parë produktet finale të bëra nga të burgosurit.

Menaxherja e projektit dhe koordinatorja për tranzicion në EULEX, zj. Alina Laura Matache, pohon se mbështetja e fuqishme menaxheriale është e nevojshme për të pasur një ngritje të përqindjes së femrave nëpër pozita udhëheqëse përmes politikave përfshirëse, procedurave transparente dhe të drejta të punësimit, vlerësimit të vazhdueshëm të stafit, dhe trajnimeve të përshtatura sipas nevojës. “Ekzistimi i procedurave të strukturuara të veprimeve për avancimin e femrave në pozita udhëheqëse është po ashtu shumë i rëndësishëm – mbi të gjitha është gatishmëria e menaxhmentit të lartë për të arritur këtë”, tha zj. Matache.

Që nga viti 2015, EULEX-i është duke kontribuar përmes Njësisë korrektuese dhe sistemit të fokus-pikës për çështje gjinore në EULEX për fuqizimin e sensibilizimit të aspektit gjinor në ShKK. Këto aktivitete kanë përfshirë hulumtimin e kushteve të punonjësve femra në ShKK, organizimin e fushatave nëpër universitete për inkurajimin e femrave që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e shërbimit korrektues, dhe punëtorive të ndryshme të ofruara nga Njësia korrektuese dhe Njësia për çështje gjinore në EULEX, me qëllim të vlerësimit të mundësive të femrave për zhvillim të karrierës. Më tej, në bashkëpunim me ekspertët nga Shërbimi i Burgjeve dhe i Sprovimit në Suedi, janë organizuar seminare të përshtatura mbi temën e aftësive dhe përvojës së femrave, dhe  për  mënyrat e ngritjes së vetëbesimit të tyre me rastin e aplikimit për pozita menaxheriale dhe udhëheqëse. Si rezultat i këtyre aktiviteteve, EULEX-i paraqiti para menaxhmentit të lartë të ShKK-së një sërë rekomandimesh, të cilat mes të tjerash përfshinë rekomandimin për themelimin e shoqatës së femrave në ShKK.

Kjo vizitë studimore e përmbyll një projekt trevjeçar i dedikuar për fuqizimin e zyrtareve femra në ShKK drejt një karrierë profesionale, në vijim të themelimit të shoqatës së femrave në kuadër të institucionit në vitin 2018.
 

Prapa

Zyra për Informim