Gratë në sundimin e ligjit

Drejt barazisë së vërtetë gjinore!

17 tetor 2014

Eksperte në fushën e të drejtave të njeriut dhe çështjeve gjinore me diplomë nga Fakulteti Juridik i Prishtinës, Violeta Rexha për dekada me radhë dhe pa u lodhur ka bërë fushata për promovimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. E motivuar nga një interesim i fuqishëm për frymëzimin e ndryshimeve të vërteta institucionale, Violeta është duke punuar si këshilltare për çështje gjinore në Misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë.

Detyra kryesore e Violetës është dhënia e këshillave strategjike për përfshirjen e çështjeve gjinore në tërë aktivitetet e Misionit, duke filluar me dhënien e kontributit për dokumentet e Misionit, pjesëmarrjen nëpër komisione të shumta drejtuese dhe nëpër grupe punuese të përqendruara në promovimin e barazisë gjinore, deri tek hartimi i raporteve ndërkombëtare rreth çështjeve gjinore në Kosovë dhe ofrimin e këshillave për menaxhmentin e misionit mbi temat që ndërlidhen me të drejtat gjinore dhe të femrave, në veçanti në kontekstin e çështjeve të sundimit të ligjit dhe të drejtësisë në tranzicion.

“Unë gjithashtu u ofroj ndihmë edhe institucioneve të Kosovës për zbatimin e dokumenteve ndërkombëtare dhe vendase që kanë të bëjnë me çështjet gjinore, barazinë gjinore dhe të drejtat e femrave,” shpjegon Violeta.

Violeta ka një përvojë profesionale të larmishme. Ajo ka punuar në zyrën e Avokatit të Popullit në Kosovë për tetë vite. “Isha shumë me fat që kam punuar për zyrën e Avokatit të Popullit që nga themelimi i saj. Komuniteti ndërkombëtar ka investuar angazhime të mëdha për ngritjen e qëndrueshmërisë dhe të pavarësisë së asaj zyre në mënyrë që ajo të mund t’i mbrojë siç duhet të drejtat e njeriut të qytetarëve të Kosovës”, thekson Violeta.

Gjatë kohës sa ka punuar për Avokatin e Popullit, Violeta e ka pasur rastin që të njihet drejtpërsëdrejti me problemet e përditshme të qytetarëve të Kosovës. “Pata mundësi që të takoja femra që ishin viktima të dhunës fizike kryesisht nga partnerët e tyre. Disa prej tyre ishin dëbuar nga shtëpitë, të ndara dhe të ndaluara nga kontaktimi i fëmijëve të tyre. Besoj se pas një vëzhgimi të afërt të këtyre rasteve, njeriu fiton motivim dhe frymëzim për t’i ndryshuar gjërat. Unë gjithashtu besoj se mund të ndryshoj diçka në punën që e bëj”, thotë ajo.

“Ne jetojmë në një shtet të ri ku sundimi i ligjit ende është i dobët dhe ku qytetarët kanë vështirësi t’i adresojnë problemet e veta dhe të kenë qasje të duhur në drejtësi”, thekson ajo.

Fuqizimi i femrave!

Sipas Violetës, trajtimi i çështjeve gjinore në përgjithësi në Ballkan mund të jetë paksa sfidues. Ajo është mësuar tanimë të dëgjojë komente nganjëherë frymëzuese dhe nganjëherë neveritëse për punën e saj.

Lidhur me mundësitë e barabarta për femrat në Kosovë, Violeta e pranon se ende mbetet punë për t’u bërë. “Familja është burimi themelor i fuqizimit të femrave, jo vetëm si mënyrë e krijimit të mundësive të konsiderueshme në arsim, por edhe në jetën profesionale,” thekson Violeta.

Çështja e barazisë gjinore shpeshherë është temë e debateve, gjë që është e mirë për shkak se kontribuon për ngritjen e vetëdijesimit mbi këtë çështje. Vetëdijesimi shpeshherë  bie ndesh me normat tradicionale të shoqërisë, ku çështja gjinore ka karakter stereotipi. Në shtetet e Ballkanit ende është i pranishëm hezitimi për t’ua besuar femrave rolet udhëheqëse, pavarësisht aftësive të tyre.

“Është e qartë se barazia gjinore është vlerë e pranuar ndërkombëtarësh. Mungesa e barazisë dhe pabarazia e pushtetit mes burrave dhe grave ndikon në zhvillimin ekonomik dhe kështu në demokracinë e gjithmbarshme në shoqëri”, thotë Violeta.

Ndonëse ka angazhime për përmirësimin e gjendjes aktuale, përkushtimi institucional nuk është i mjaftueshëm. “Të gjitha sferat e shoqërisë duhet të angazhohen për të arritur përparim domethënës në fushën e të drejtave të femrave të Kosovës”, thotë Violeta.  

Motivimi i vërtetë për Violetën është guximi i grave dhe i vajzave të reja për t’i sfiduar pabarazitë dhe rolet e tyre gjinore të përkufizuara nga shoqëria. “Vajzat dhe gratë shumë e më shumë po i sfidojnë rolet e tyre tradicionale. Ato janë të gatshme që ta ndryshojnë shoqërinë. Këtu e gjej frymëzimin për të bërë çdo gjë që mundem për këtë kauzë”, cekë Violeta. Ndoshta, një pjesë e motivimit vjen edhe nga brendësia e Violetës e cila është e ndjeshme dhe e prekur nga padrejtësitë.

 “Po të mos kisha qenë eksperte për çështje gjinore, patjetër se do të isha duke punuar në sistemin e drejtësisë, si gjyqtare apo prokurore,” thotë ajo. 

Për momentin, synimi kryesor i Violetës është që të ndihmojë për fuqizimin e femrave të Kosovës dhe përmirësimin e qasjes së tyre në drejtësi.

Violeta i inkurajon femrat ambicioze të Kosovës që vazhdimisht ta kërkojnë vendin e tyre të merituar në shoqëri. Përmes përkushtimit të saj, punës së palodhshme dhe zotimit, ajo është e sigurt se është duke  dhënë kontribut për mbrojtjen e të drejtave të femrave në Kosovë. Kauzë kjo që ia vlen!