Deklaratë e Shefit të Misionit të EULEX-it mbi Protokollin e Bashkëpunimit Policor
18 gusht, 2009
Shefi i Misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, i cili posa është kthyer në Kosovë, ka kërkuar të takohet me Presidentin Sejdiu dhe Kryeministrin Thaçi, ditën e enjte, më 20 gusht. Në mesin e çështjeve që do të diskutohen do të jetë edhe Protokolli i Bashkëpunimit Policor me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Z. de Kermabon lëshon këtë deklaratë:
“Ka pasur një mori keqkuptimesh dhe keqinterpretimesh lidhur me çështjen e Protokollit për Bashkëpunim Policor ndërmjet EULEX-it, mision i BE-së për sundimin e ligjit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Unë do të qartësojë disa prej këtyre çështjeve gjatë takimeve të mia. Unë gjithashtu dëshiroj të theksojë në vijim se:
- EULEX-i nuk ka nënshkruar dhe nuk mund të nënshkruaj çfarëdo lloj protokolli në emër të Kosovës. EULEX-i, si mision teknik për sundimin e ligjit, mund të nënshkruaj protokolle vetëm në emër të EULEX-it dhe për çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, sipas pajtimit të arritur nga 27 vendet anëtare të BE-së.
- Pas vizitës sime të parë në Beograd dhe pas vizitave të kryera në kryeqytetet tjera të rajonit, EULEX-i, përmes meje, zëvendësit tim Roy Reeve dhe stafit tonë kanë informuar autoritetet e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme për kontaktet me Beogradin dhe për hollësitë lidhur me formalizimin e bashkëpunimit policor.
- I gjithë informacioni që është siguruar përmes marrëveshjeve të tilla do t’i vëhen në dispozicion autoriteteve relevante të Kosovës dhe në të mirë të institucioneve për sundimin e ligjit.
- Nuk është e pazakontë për EULEX-in që të nënshkruaj marrëveshje me ministritë përkatëse të rajonit. Marrëveshje të ngjashme të bashkëpunimit tashmë janë nënshkruar nga EULEX-i për shkëmbim të informacionit inteligjent financiar lidhur me shpëlarjen e parave dhe financimin e terrorizmit dhe atë me IRJM më 22 janar 2009, Malin e Zi më 19 shkurt dhe me Shqipërinë më 4 shkurt 2009. EULEX-i do të vazhdojë të kërkojë bashkëpunim operacional për të gjitha çështjet që lidhen me mandatin e EULEX-it.
- Krimi i organizuar, kontrabanda dhe trafikimi me qenie njerëzore, drogat dhe armët, të gjitha paraqesin krime serioze të cilat mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit rajonal. Në mënyrë që kriminelët të sillen përpara drejtësisë nevojitet të ketë paraqitje dhe shkëmbim të provave në rajon, ndërsa për ta mundësuar këtë nevojitet krijimi i mekanizmave.”